TABELA: Dy politikanët që kanë 30 vjet në Parlament! Njëri u largua vetë, tjetri ka vendosur të vdesë në karrige (ka 56 vjet anëtar partie!)

Në Shqipëri vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë me sistem votimi direkt nga qytetarët, më pas aplikuam sistem miks dhe prej 2009 deputetët de facto emërohen nga kryetarët e partive, pra nuk votohen nga qytetarët.
Duke qenë të tillë, është e vështirë të përcaktohet se cilët janë deputetët më të votuar në historinë e parlamentit dhe të bëhet një lidhje funksionale midis votave në elektorat dhe mandatit parlamentar.
Në këto kushte tregues karriere mbetet numri i mandateve parlamentare për deputetët.
Në parlamentin 2017-2021 që lamë pas Edi Rama kishte mandatin e tij të dytë si deputet, Lulzim Basha kishte mandatin e parë, Ilir Meta nuk ishte deputet për herë të parë prej vitit 1992.
Tabela e mëposhtme e hartuar nga Instituti i Studimeve Politike ilustron jetëgjatësinë e jetës parlamentare për deputetët e zgjedhur më 2017, (mandati i atyre të PD dhe LSI gjithsesi u konsumua në terma politikë dhe financiarë, megjithëse Parlamenti u bojkotua për një kohë prej tyre).
Tabela tregon se deputetët më me shumë mandate janë Ruçi dhe Berisha.
Më 2021 ata akumulojnë 29 vjet në parlament, – shifër rekord në historinë parlamentare pas 1990. Të dy kanë fituar mandatet e reja për 4 vitet e ardhshme. Por Ruçi dha dorëheqje nga politika pak javë më parë dhe e la mandatin e ri pa e nisur atë. Kurse Berishës i është kërkuar të mos jetë në shtator në Parlament pas shpalljes non grata nga SHBA.
Gjë të cilën ai e ka refuzuar.
Nëse ai e vijon edhe këtë mandat, në kushtet e largimit të Ruçit do jetë i vetmi që do kapi 34 vjet në Parlament. Duke qenë se po flasim për një individ që ka qenë në një parti që në 1968 (viti i pranimit të tij në PPSH), i bie që Berisha do ketë 22 vjet në sistemin monist dhe 34 vjet në atë pluralist, gjithsej 56 vjet në parti politike.
Praktikisht më shumë se sa zgjati i gjithë sistemi komunist në Shqipëri.
