“Më thuaj se je shqiptare pa…”/ Me gotën në kokë e këngë popullore në sfond, Dua Lipa ia merr valles (VIDEO)

Këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, vijon që të ndajë me 69.8 milionë ndjekësit në “Instagram” foto e video nga pushimet në jug të Shqipërisë.
Ditën e sotme, 25-vjeçarja ka publikuar një video ku shfaqet duke kërcyer nën ritmet e këngëve shqiptare. Teksa mban në kokë një gotë, ajo kërcen së bashku me të afërmit dhe miqtë e saj.
“Më thuaj se je shqiptare, pa më thënë se je shqiptare”, shkruan artistja me famë botërore krahas pamjeve ku tregon se si po i kalon pushimet në Shqipëri.
Më herët Dua publikoi disa imazhe nga vendi ku po relaksohet dhe shkruante se nuk do donte që të largohej nga aty. Madje shkruante se është “vendi i ëndrrave në botë”.
“Vendi i ëndrrave në botë. Kalova çdo ditë këtu ndërsa isha në bregdetin e Shqipërisë dhe nuk dua të largohem kurrë”, ka shkruar Dua bashkëngjitur me foton. Dua ndau me ndjekësit e saj edhe një foto ku shfaqet një bunkier e krahas saj shkruan: “Një botë që dikur ekzistonte, e cila tani shërben vetëm si një kujtesë e forcës dhe elasticitetit të popullit shqiptar”.
Kujtojmë se ylli me famë botërore erdhi në Shqipëri disa ditë më parë, e shoqëruar nga familja dhe i dashuri i saj, Anwar Hadid. Vizita e saj në vendin tonë ishte për të parë nga afër punimet që po zhvillohen për mobilimin e kopshtit me fondet që janë mbledhur nga shitja e bluzave “Lutu për Shqipërinë”, një iniciativë nga vetë këngëtarja në bashkëpunim me miqtë e saj.
Lipa së bashku me familjen dhe Anwar vizituan edhe qytete të tjera të Shqipërisë si Krujën dhe Durrës. Më pas ata shkuan në jug të Shqipërisë, ku kaluan disa ditë të bukura në plazh.