Të thënat e të pathënat e “MiniShengenit/ Bedri Islami: Pse nganjëherë “macet” e këtij shekulli, mund të jenë më të rrezikshme se “tigrat” e shekullit të shkuar

Nga Bedri Islami
Dy burra të gjatë qëndrojnë anash, ndërsa në mes një më i shkurtër, që është edhe mikpritësi i një samiti të ri.
Edi Rama, kryeministri shqiptar dhe Vuçiç, presidenti i Serbisë kanë rrokur në mesin e tyre shefin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të urtin Zaev, i cili e ndjen hijen e rëndë që bie mbi të, por është i lumtur se, më në fund, ka bërë një lëvizje të re në politikën e ngrirë të vendit të tij, që, në mos tjetër, do mund t’i shërbejë në ngjarjet që ka para vetes, zgjedhjet për pushtetin lokal.
Është firmosur një dokument i ri, ende pa u tharë mirë boja e të vjetrit, dhe joshja tani duket më e afërt. Nuk do të ketë më “MiniShengen ballkanik”, që nga sot e tutje rroba e vjetër është hedhur dhe do të shfaqet nën një petk të ri: “Ballkani i hapur”.
Tre krerët e qeverive mund të jenë të kënaqur; ata, dy vite pas krijimit të një “foshnje politike” të asfiksuar, duket se gjetën një formë të re, por që nuk ia heq dot mungesën e frymëmarrjes dhe të shtrirjes së saj. Sido që ta quash, me emrin që nuk kishte kohë të vjetrohej, apo me emrin e ri që një ditë do të shkërmoqet, thelbi dhe historia mbetet e njëjtë: kambanat e Beogradit po bien dhe po dëgjohen edhe në Tiranë e në Shkup.
Natyrisht fantazma e vitit 1946 nuk do të shfaqet më, ashtu zezonë si ishte asaj kohe, ama hijet e saj do të jenë të pranishme. Nuk do të ketë emisarë politikë fuqiplotë, por biznesmenë të ngashëryer; nëpër dikastere nuk do të ketë këshilltarë të njësuar me ministra, por dyert do të shqyhen nga vërshimi i asaj që njihet me emrin e bujshëm protektorat, që kësaj here do të jetë financiar dhe ekonomik. Në fund të fundit, nganjëherë “macet” e këtij shekulli, mund të jenë më të rrezikshme se “tigrat” e mesit dhe fundit të shekullit të shkuar. Zaten, “tigrat” janë njësi e njohur në shtetin serb.
“Ballkani i hapur” është emërtimi i ri i asaj që njihej si Shengeni i vogël.
Kush e kishte mbyllur deri tani Ballkanin? Shqiptarët asnjëherë, edhe po të donin, nuk kishin forcë e as përkrahje; maqedonasit nuk po mundin të hapin as portën me fqinjin e tyre bullgar dhe për të hapur një deriçkë me fqinjën grek iu desh të modifikonin edhe emrin e shtetit të tyre.
Në këtë treshe, aspak natyrale e, për më tepër, aspak historike, vetëm njëri prej tyre ka nisur luftëra dhe ka bërë gjenocid mbi popujt e Ballkanit. Për më tepër, asgjë nuk ka mësuar nga tri luftërat e filluara prej saj dhe të humbura, e, si duket, as nuk ka ndër mend të mësojë.
E drejtë është që historia nuk duhet të na sillet nëpër këmbë, por nuk është e drejtë që të përzihet ajo me shkelma për hir të zemërimit kryeministror apo presidencial. Harresa, veti tipike shqiptare, nuk ka të bëjë me këtë rast.
“Ballkani i hapur” me dyer të mbyllura nuk është një gjetje origjinale e Vuçiç. Ai përsërit të njëjtën ide që kishte Millosheviqi në fundin e vitit 1997 për të ashtuquajturën “Ballkani”. Si ish ministër i qeverisë më të zezë në historinë evropiane të pasluftës, ai, Vuçiç , e di krejt mirë se tashmë revanshi nuk mund të merret përmes bajonetave, çka e ka mbështetur dikur sëbashku me kryetarin e sotëm të parlamentit serb, por në një gjetje të re, e cila të ishte evropiane në formë dhe sllave në përmbajtje.
Ballkani ka një program thellësisht serioz, që vjen nga Berlini; përmes tij të gjitha shtetet ndjehen të barabarta dhe shohin në të ardhmen, krijohen aleanca solide, më shumë të zhvillimit ekonomik, se sa politike. Përse lihet mënjanë një program që hap dyert e Ballkanit për të gjithë, me burim një forcë madhore evropiane, me autoritetin dhe institucionet e saj të sigurisë, financës, politikës dhe mbrojtjes, dhe, befas, tre gjysma gjelë marrin përsipër të bëjnë të parët e Ballkanit.
Do i hapë dyert Serbia për Kosovën dhe do e njohë atë si shtet të pavarur e sovran? Cilat dyer do i hapë Maqedonia e Veriut shtetit bullgar, kur pikërisht ky i fundit ia ka mbyllur portat për të qenë pjesë integrale e Bashkimit Evropian? Nëse në rastin e parë, atë serb, kemi të bëjmë me mbulimin e gjakut përmes mohimit, në rastin e dytë të kujtohet një thënie e vjetër “nuk të pranojnë në fshat e ti kërkon vajzën e priftit për grua”.
12 shtetet e Ballkanit, pesë nga të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, dhe një tjetër vend kandidat e pjesë tejet e rëndësishme e NATO-s vështirë se mund të përmallohen nga portat e hapura të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Më shumë se sa gjetje politike dhe synim i së ardhmes, gjithçka duket si ato hakërrimet e njohura ballkanase, pikërisht tani kur portat e BE mbetën edhe një kohë të mbyllura për tre vendet e portave të hapura, dhe kur, për më tepër, Serbisë i duhet të pranojë ofertën e SHBA dhe të BE për njohjen e Kosovës, ose ndryshe portat do të jenë të mbyllura.
Hapësira pa pengesë për katër liritë e njohura të standardit të sotëm evropian: njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitali, duhet të ketë një studim serioz, gjithëpërfshirës, nga institucione serioze, brenda dhe jashtë Shqipërisë, jo të jetë tekë, dëshirë a vendim i shefit të qeverisë, dhe, mjerisht, deri tani, shteti shqiptar nuk e ka një studim të tillë, ndërsa shteti serb, përmes një institucioni të veçantë, e ka përpunuar si ide, e ka riaktivizuar, e ka përpunuar më tej dhe i di mirë përparësitë që i sjell një ide e dyerve të hapur në marrëdhëniet ndërkombëtare, në fushën financiare, të historisë dhe të synimeve politike të së ardhmes.
Në fund të fundit, krijimi i një strukture të veçantë, politike dhe institucionale, duhet të ketë përgjigje në pyetjen e parë, çfarë fitohet e çfarë humbet? Çfarë fitojnë shqiptarët në Shqipërinë londineze dhe çfarë humbin; çfarë fitojnë shqiptarët si komb dhe çfarë humbasin; çfarë përparësie ka për biznesmenët shqiptarë e çfarë do të humbin, a është shteti shqiptar i përgatitur për të përballuar vërshimin e mallrave serbe, shpesh herë të pa verifikuara; po fermerët shqiptarë çfarë do të bëjnë deri asaj dite kur produktet e tyre do mund t’i shesin edhe në Portugali apo Spanjë? Do të mbijetojnë apo do të asfiksohen? Cili buxhet i qeverisë shqiptare do i mbështetë ata për të përballuar këtë ndeshje, ku në anën tjetër janë më të fortët? Apo qeveria do të thotë si ministri i Turizmit, kur ishte fjala për çmimet e larta në hoteleritë jugore të bregdetit, se ky është kapitalizmi!
Punët e mëdha, kur janë punë të mëdha, nuk bëhen me “ urra” e me “ t’a marsha”. Ato duan studime të mirëfillta, serioze, të themelta, që të mos shkretohet edhe më shumë ky vend dhe fushat të mbeten djerrë sepse specat do të na vijnë nga Vojvodina, domatet nga Sanxhaku, patatet nga dreqi e di se ku, ndërsa prodhimi vendas do të harrohet.
Por nuk është vetëm kaq.
Në gjithë këtë lëvizje mungon një gjë themelore: Kosova.
Duan apo nuk duan qeveritarët e tre shteteve lëvizje të lirë pa Kosovën nuk mund të ketë. Dyer të hapura për të gjithë dhe të mbyllura për Kosovën, përsëri nuk mund të akceptohet. Do e njohë shteti serb Kosovën dhe të fillojë një periudhë e re ballkanike? Është e vërtetë se shtetet moderne nuk mund të jenë anakronikë dhe fosile të së djeshmes, por, po aq e vërtetë është se nuk mund të jemi kozmopolitë me një të rënë në fyellit.
Gjërat kanë rendin e tyre.
Shtete të mëdha, ndërluftuese, kanë gjetur momentin e pajtimit, por kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast përmes harresës, por, në të kundërtën, në njohjen e krimit dhe kërkimin e faljes për gjakun e derdhur.
Nuk është anakronike që, në ndërtimin e marrëveshjeve të reja të kesh parasysh historinë, jo për të qenë të ngurosur, por për të bërë rishtas gabimet e njëjta.
Në vitet e para të pasluftës shteti jugosllav, ëndrra e Vuçiç, zbrazi gjithçka nga mallrat shqiptare në dyqanet e tej mbushura dhe i dërgoi në Beograd.
Tani fushat mund të zbrazen nga njerëzit, minierat mund të mbyllen, rrugët të jenë më të heshtura se sa sot.
Hapja e një rruge të re është më e vështirë se sa entuziazmi i një dite.
Megjithëse jam i bindur se, edhe kjo, si ballkania e dikurshme, do të bjerë dhe do të mbetin vetëm puplat.