Nga buron dashuria e shqiptarëve për Amerikën

Ylber Hysi

“Sot në Shqipëri edhe foshnja në bark të nënës lind proamerikan”

Shprehje e përhapur në SHBA

Rreth një dekadë  e gjysmë më parë, një miku im, emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më kërkoi të prisja dhe të shoqëroja nëpër Shqipëri pronaren e ndërmarrjes ku ai punonte. Me një merak të shprehur  më kërkoi jo vetëm ta respektoja, por edhe t’i qëndroja pranë gjatë udhëtimeve të saj nëpër vendin tonë. Më shpjegoi se ajo grua fisnike kish treguar një kujdes të veçantë për të bërë të mundur ta integronte atë  në jetën  amerikane. Ai më theksoi edhe  origjinën e saj gjermano-irlandeze, dhe faktin që  ajo ishte një pasionante e historisë së kombeve dhe, sidomos e kulturës klasike antike greke, një fushë kjo që përfshihej njëkohësisht edhe në interesat e mia studimore të prejkohëshme për fqinjët tanë.

Ka qenë korriku  i vitit 2007, kur e prita në Rinas dhe vizitën e parë e realizuam në qytetin e Beratit, në qytetin e “një e mbi një dritareve”, i cili jo vetëm e surprizoi, por edhe e mahniti zonjën e nderuar. Vinte nga një periudhë pushimesh që kishte kaluar nëpër Greqi dhe e ndjeva që ishte e befasuar,  nga fakti  që kaq pranë Greqisë mund të ekzistonte  një vend që kishte po atë bukuri dhe një kulturë po aq antike sa e saj. Dhe, si për të vërtetuar ndjesinë time, shprehu dëshirën se ishte e gatshme për një guidë më të gjerë se sa ajo e planifikuar më parë nëpër Shqipëri.

Pas Shkodrës, kaluam nëpër Gjirokastër e më pas në Butrint, i cili e vuri në mendime të thella. Në heshtje, dëgjonte  me vëmendje dhe bënte po në heshtje llogaritë me periudhat, duke i krahasuar gjithmonë, po në heshtje, me ato klasike greke. Në Apolloni, befasia e saj ishte e plotë, sidomos kur  i vura në dukje se ky ishte qyteti antik, që Ciceroni e vlerësoi për lashtësinë dhe madhështinë e tij, ku kishte studiuar edhe Oktavian Augusti, Perandori i parë i Romës. Me çiltërsi  u shpreh se kishte dëgjuar që Perandori kishte studiuar në një nga 12 Apollonitë e Adriatikut, por që ky vend të ndodhej kaq shumë pranë Greqisë dhe Romës, nuk mund ta kishte menduar kurrë.

Vizitën e fundit e realizuam në qytetin e Krujës. I ofrova të dhëna për historinë e popullit shqiptar, rrënjët e tij, gjuhën. Ndaluam në Zgërdhesh, ku i shpjegova zonjës se këtu ishin rrënojat e  një qyteti antik, të cilin gjeografi egjiptian i antikitetit, Ptolemeu (Ptolemaes Klaudius, 90-160 e.s.) e përmend me emrin Albanopolis, së bashku me disa qytete të tjera ilire. Me këtë të dhënë, ai bëri  të njohur fisin e Albanëve, me të cilin identifikohen shqiptarët e sotëm. Albanët njiheshin si një nga fiset ilire që shtriheshin përgjatë brigjeve të Dalmacisë ilire, brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, duke përfunduar në gjirin e Ambrakisë, në Prevezë. Çuditërisht, në këtë moment ajo reagoi dhe sipas informacionit të saj, natyrisht jo të saktë, pretendoi se këto territore ishin të Greqisë.  Rrugës për në Krujë, i argumentova zonjës së nderuar, se ato territore shqiptare, Greqia i kishte përvetësuar me ndihmën e Fuqive të Mëdha Europiane, duke filluar nga vitet e Kongresit të Berlinit më 1878 e këtej. Kufiri, midis territoreve shqiptare dhe Greqisë së krijuar në 1831 ka qenë gjiri i Ambrakisë, në Prevezë, i thashë prerazi.

Në kalanë e Krujës, pas vizitës në Muzeun e Gjergj Kastriot-Skënderbeut ajo nisi të meditojë në heshtje. Perandoria Osmane ka pasur hije të rëndë dhe lufta 25 vjeçare e popullit shqiptar, me Skënderbeun në krye, në mbrojtje të Europës, i dukej një mrekulli.

Gjatë kthimit nga Kruja, i përmenda mysafires turneun që Presidenti i Amerikës, Xhorxh W. Bush realizoi në Europë dhe në Shqipëri ndonjë muaj e ca më parë.

– Po – më tha – kam dijeni dhe më ka bërë përshtypje pritja madhështore që i bënë atij në një qytet të vogël në Ballkan. Në moment reagova duke i thënë:

– Ja, ky është ai qytet, Fushë Kruja.

E befasuar, më kërkoi nëse ishte e mundur të bënim një ndalesë. Qëndruam në lokalin ku Presidenti Bush kishte bujtur dhe ku gjithçka kishte mbetur e pandryshuar nga koha e vizitës së tij.

– Ylber – më pyeti – nga buron kjo dashuri për Amerikën në këtë qytet të humbur, te këta banorë!

I kënaqur, i shpjegova se kjo dashuri ekziston në të gjithë kombin shqiptar, kudo ku ai ndodhet sot në Ballkan dhe ka lindur në fillimet e shekulli të njëzetë, më saktë në vitin 1919. I shpjegova se kombi shqiptar është kombi “jetim” i Europës,  i cili nuk ka me të asnjë lidhje gjenetike, gjuhësore etj.  Ndoshta për këtë arsye është që kjo Europë, përgjatë mijëvjeçarëve e ka “masakruar” këtë komb. Momenti më tragjik ka qenë viti 1919, kur në Konferencën e Paqes në Paris  kjo Europë kishte planifikuar që Shqipërinë ta zhdukte nga harta e Botës.

Pikërisht, këtu e ka burimin mirënjohja dhe dashuria e kombit shqiptar për Amerikën. Në Paris, Presidenti Ëillson (Ëoodroë Ëilson,(1856-1924), deklaroi se nuk do të firmoste asnjë dokument zyrtar mbi të Drejtat Ndërkombëtare, nëse nuk do të merreshin parasysh dhe nuk do të mbroheshin të drejtat e kombeve të vegjël. Këtu përfshihej edhe Shqipëria.

Ishte kjo deklaratë, që detyroi Europën të njohë pavarësinë e Shqipërisë, por që krijoi njëkohësisht te populli  edhe mitin se:

-Amerika, shpëtoi Shqipërinë. Këtu lindi dhe u rrit ndër dekada  në kombin shqiptar dashuria për Amerikën. Por, i veçantë është fakti, se kjo dashuri u trashëgua në popull, jo nga politikanët shqiptarë apo nga shteti shqiptar i shekullit të kaluar, të cilët, pavarësisht ngjyrave apo regjimeve, puna më e mirë që kanë bërë, ka qenë vendosja e “shkopinjve në rrota” kundër interesave amerikane, të paktën deri në 2013!!!! Kjo dashuri u trashëgua në brezat e popullit shqiptar, fillimisht me këngët e djepit, me ninullat që nënat shqiptare u këndonin fëmijëve të tyre që në lindje, u trashëgua në folklorin shpirtëror të vet popullit shqiptar. Pikërisht, për të gjitha këto, sot në Shqipëri edhe “foshnja në bark të nënës lind proamerikan”.

Populli i Fushë Krujës pati fatin e madh, që ta vërtetonte edhe njëherë këtë dashuri, të shprehte nëpërmjet Presidentit Bush, atë se çfarë përfaqëson Amerika për kombin shqiptar. Besimin se do ta shpëtojë edhe këtë herë…

Edhe pse mysafirja e nderuar e dinte, që jo kudo, madje edhe në Greqinë e pasionit të saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Flamurin  dhe  Presidentin Amerikan nuk i kanë respektuar gjithmonë, kuptova se tani ajo i jepte të drejtë  Robert Kaplanit për gjithçka që ai shkruante në librin e tij, “Greqia, dashnorja e Perëndimit dhe gruaja e Lindjes”.

Ditën e fundit, në aeroport, gati për të fluturuar në Amerikën e largët, gjeta rastin   për t’i shprehur, në mënyrën më të sinqertë, se në themel të miqësisë shqiptaro-amerikane qëndron – “Një dashuri e mbrujtur me qumështin e gjirit të nënave shqiptare”.

Më dëgjonte në heshtje  dhe po në heshtje ndjeva premtimin, se kur të kthehej në atdheun e saj, do të fliste me pasion për Shqipërinë, se do të ndjehej krenare për një popull që e meriton miqësinë e Kombit Amerikan.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT