Çfarë mësuam nga zjarret, natyra ‘ndihmon’ veten dhe shqiptarët

Atë që nuk e bëri dot shteti shqiptar, kjo edhe për shkak të mjeteve të pakta që ka në dispozicion, e bëri vetë natyra.

Vatrat me problematike të zjarreve në Shqipëri janë shuar ose vënë në izolim, falë reshjeve të shiut që përfshinë vendin ditën e djeshme dhe punës sakrifikuese të forcave zjarrfikëse dhe ushtrisë.

Shiu shuan flakët në Kukës

Prej më shumë se një jave, situata në Kukës ishte shqetësuese, ndërsa flakët rrezikuan edhe tunelin e Kalimashit, arteria kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri dhe toka, vetëm falë reshjeve të shiut u bë e mundur fikja e vatrave të zjarrit në Lakun e Thive dhe Majën e Rrunës.

“Nga informacioni i marrë nga Përgjegjësit e EC-së së bashkive Kukës Tropojë dhe Has i gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu i shoqëruar në disa zona me breshër.  Në këto momente situata është e qetë dhe vatrat e zjarrit janë të izoluarara. Për të shikuar rezultatin e reshjeve në shuarjen e vatrave të zjarrit do të përcakohet nësër nga verifikimi i tyre në terren“, deklaroi dje në një njoftim Komisioni i Mbrojtjes Civile Prefektura Kukës.

Që prej gati 1 jave, flakë në bjeshkët e Malziut dhe në Majën e Rrunës kanë djegur gati 2000 hektarëve tokë me pyje e bimësi. Për shkak të erës së fortë, temperaturave të larta dhe terrenit të vështirë flakët vunë në rrezik edhe zonën administrative të Pukës.

Situata nën kontroll edhe në jug

Në jug, kontributin kryesor e pati dora e njeriut. Dje në mesditë, u raportua se u shuan të gjitha vatrat në Karaburun, atje ku prej mëse tre javësh zjarret kanë shkrumbuar qindra hektarë sipërfaqe pyjore, por fatmirësisht pa prekur banesa dhe parkun kombëtar të Llogarasë. Tashmë, bashkitë kanë nisur të bëjnë bilancin e dëmeve.

Zjarrët, që përfshinë edhe zona të tjera, në Gjirokastër, Fier, Pukë, Korçë, përveç pyjeve, kanë dëmtuar edhe ullishte, të cilat janë burim të ardhurash për shumë familje.

Heronjtë e heshtur dhe mjetet e vjetëruara

Qindra trupa të Forcave të Armatosura e forcave zjarrfikëse, specialistë të zonave të mbrojtura dhe emergjencave civile kanë punuar me qindra orë, pa u lodhur për të shpëtuar pyjet dhe pronat e shqiptarëve.

Shpesh pa mjetet e nevojshme dhe duke rrezikuar jetën, ata kanë bërë një punë që duhet vlerësuar, shkruan SHQIP.

Në maj të këtij viti, Banka Botërore publikoi një raport diagnostikues për gatishmërinë e strukturës së Emergjencës për Mbrojtjen Civile në Shqipëri.

Raporti diagnostikues konfirmoi se Shqipëria ka aftësi të kufizuara të shuarjes së zjarrit në vende larg zonave të banuara.

Banka vërejti se Shqipëria ka mangësi të mëdha për të kontrolluar zjarret në zona të egra dhe pyje të largëta, pasi mungojnë automjetet 4×4 dhe pajisje specifike, si kamera termike për të vlerësuar zjarret.

Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse ishin dhuruar nga vende të ndryshme, vuri në dukje Banka Botërore.

Bashkive dhe njësive administrative u mungojnë pajisjet mbrojtëse personale dhe pajisje të jashtme për shuarjen e zjarreve, ndërsa automjete me shkallë për shuarjen e zjarreve në ndërtesa të larta (gjashtë ose më shumë kate) janë të pamjaftueshme, thuhet raport.

Ndihma nga Kosova dhe dështimi i “Ballkanit të Hapur”

Situata e zjarreve në Shqipëri tregoi se marrëveshja e nënshkruar në Shkup mes Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, në kuadër të nismës “Open Balkan” nuk ka funksionuar. Marrëveshja parashikonte ndihmë reciproke në rastet e fatkeqësive natyrore, por kjo ndihmë Shqipërisë i erdhi vetëm nga Kosova, shteti I dytë shqiptar në Ballkan.

Kosova nisi drejt Shqipërisë 43 zjarrfikës dhe 9 mjete për të shuar flakët në malin mbi tunelin e Kalimashit. Këto ekipe zjarrfikëse nga Kosova iu bashkuan ndihmës që më herët erdhi nga Bashkimi Europian, shkruan SHQIP.

Ndihma u vlerësua maksimalisht nga shqiptarët e zakonshëm, ndonëse kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, u shpreh se flakët mbi tunelin e Kalimashit u neutralizuan para se të mbërrin forcat nga Kosova. Diçka që rezulton krejtësisht e pavërtetë.

Çuçi me pushime, ministri kosovar në Kukës

Situata e zjarreve nxori në dritë edhe një ndryshim të qartë mes ministrave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Edhe pse situata ishte kritike, kjo nuk e pengoi ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçin të shkojë me pushime, duke ia deleguar kompetencat zëvendësit të tij.

Gjithsesi, në terren Çuçin e zëvendësuan dy ministra, por jo nga Shqipëria. Pavarësisht ngërçit mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, ministrat e Brendshëm dhe  të Mbrojtjes së Kosovës erdhën vetë në Kukës, ku asistuan punën e ushtrisë dhe forcave zjarrfikëse nga Kosova.

Siç duket ata nuk mund të rrinin duarkryq, teksa shihnin sesi vendi amë digjej nga flakët. Kur vendi digjet, pushimet presin./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT