“4 makina dhe një helikopter plot me para”, Arratisja e majme e Presidentit afgan

Ambasada ruse ne Kabul deklaroi të hënën se Presidenti afgan, Ashraf Ghani u arratis nga vendi me katër makina dhe një helikopter plot me para të thata, aq sa iu desh të linte ca në pistë pasi helikopteri nuk i merrte dot të gjitha.

Ghani, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende u largua nga vendi ditën e diel, teksa talibanët po hynin në Kabul pa hasur rezistencë. Ai tha se u arratis për të shmangur gjakderdhjen.

Ndërkohë, Rusia thotë se do të vazhdojë të mbajë në Kabul përfaqësinë e saj diplomatike dhe shpreson që të krijojë lidhje me talibanët, megjithëse shton se nuk do të nxitojë për të njohur qeverinë e tyre dhe do të vëzhgojë me kujdes sjelljen e vendimet e tyre karshi interesave të Moskës.

“Sa për rënien e regjimit në largim, gjithçka flet vetë me mënyrën se si Ghani u arratis nga Afganistani/ Katër makina plotë me para dhe një helikopter, që nuk i mori dot të gjitha dhe një pjesë e parave u lanë në pistën e nisjes”, citohet nga agjencia e lajmeve RIA, Nikita Ishchenko, zëdhënës i Ambasadës Ruse në Kabul.

Për Reuters, Ischenko citoi dëshmitarë okularë si burim të tij të informacionit. Ndërkohë, i dërguari special i Presidentit Putin për Afganistanin, Zamir Kabulov tha më herët se ishte e paqartë se sa është shuma e parave që qeveria në arrati ka lënë pas.

“Shpresoj që qeveria që u arratis të mos ketë marrë të gjithë buxhetin e shtetit me vete”, deklaroi ai për radiot ruse.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT