Ardhja e afganëve në Shqipëri, reagon Komuniteti Mysliman: Si besimtarë dhe si shqiptarë, na takon t’i mirëpresim

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka reaguar sot lidhur me ardhjen e afganëve në Shqipëri. Në një postim në mediat sociale Komuniteti Mysliman u bën thirrje shqiptarëve që të mirëpresin afganët që do të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës.
“Motra dhe vëllezër, ditët e fundit u njohëm me lajmin se vendi ynë, Shqipëria, do të strehojë qindra mërgimtarë nga Afganistani, të cilët ikin nga përndjekja e regjimit të ri që po vjen në vendin e tyre. Si besimtarë dhe si shqiptarë ne na takon t’i mirëpresim dhe të tregohemi bujarë me ta”, theksohet në reagim.
Më tej shtohet se institucionet e vendit dhe aleatët e vendit tonë kanë marrë të gjitha masat e duhura që kjo situatë të menaxhohet më së miri.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i gatshëm të japë ndihmesën e tij, në qoftë se nevojitet, për këtë rast. Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje besimtarëve të tregohen bujarë, të paqtë dhe mikpritës me mërgimtarët për hir të Allahut”, vijon reagimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar.