Paralajmëron Veliaj: Kemi identifikuar autorin e djegies së “Sarajeve”, na duhet dhe pak kohë për porositësin

Erion Veliaj thotë se autoritetet kanë identifikuar autorin e djegies së “Sarajeve të Toptanëve”, gjatë mbrëmjes së djeshme, por theksoi se duhet dhe pak kohë për të arritur tek porositësit. Sipas kryebashkiakut, dje është tentuar i njëjti skenar si me shkollën “Kosova”.

“E shuam zjarrin në kohë rekord, në kohë rekord e identifikuam zjarrvënësit, por do na duhet pak më shumë kohë për porositësit.”

Ai i krahasoi “Sarajet” me çështjen e Teatrit Kombëtar, duke shtuar se ndryshe nga ky i fundit që e quajti godinë prej tallashi, ato kanë statusin monument kulture.

“Jam informuar nga policia bashkiake rreth orës 12 pa 10, pak para mesnatës për një zjarr që ishte vendosur tek ndërtesa e Sarajeve që ndodhet ngjitur me godinën e bashkisë AMK. E njëjta patrullë që u konfliktua me Presidentin e vuri re sapo ra zjarri dhe lajmëroi zjarrfikësit që ishin aty për 2 minuta. Zjarri është vendosur nga dritaret e pasme, kemi gjetur 2 dritare të thyera.

Fillimisht ka marrë zjarri në katin e parë, pastaj të dytin. Është parë në kamera dhe ekzekutori i urdhrit për djegien. E kam nuhatur që po shkohej drejt një skenari si ai i shkollës ‘Kosova’, ku palët donin të shkonin në gjykatë për të thënë që nuk kishte ndërtesë. Sarajet në dallim nga teatri prej tallashi e kanë statusin”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT