Agjenturat e huaja nxitën lajmet e rreme e krimin kibernetik. SHISH: Si vepruan aktorët joperëndimorë në Shqipëri

Shërbimet inteligjente ruse vepruan në Shqipëria përgjatë vitit 2020 duke përhapur e nxitur lajme të rreme dhe dezinformim në lidhje me pandeminë, duke fajësuar Perëndimin për krizën, si dhe duke promovuar menaxhimin e krizës nga sistemet autoritare përballë atyre demokratike.

Një raport publik i Shërbimit Informativ të Shtetit thotë se “Aktorë globalë jo-perëndimorë vepruan në Shqipëri përgjatë vitit të kaluar duke avancuar kryesisht përmes mediave online dhe rrjeteve sociale agjenda populiste e nacionaliste me përmbajtje propagandistike, keqinformuese kundër pandemisë dhe vaksinimit”.

“Në rrjetet sociale dhe mediat online janë bërë thirrje nga individë apo grupe të caktuara për të nxitur e frymëzuar pakënaqësi dhe reagim popullor kundër masave shtrënguese të marra nga qeveritë gjatë situatës së shkaktuar nga pandemia. Pasiguria dhe teoritë konspirative që karakterizuan rrjetet sociale dhe mediat online ndikuan në dobësim të perceptimit publik për një përgjigje kolektive ndërkombëtare e kombëtare të efektshme lidhur me menaxhimin e pandemisë”, thotë raporti.

SHISH thotë se aktorët globalë jo-perëndimorë shfrytëzuan situatën e shkaktuar nga COVID-19 për synimet e tyre gjeostrategjike, forcimin e pozitës së tyre si aktorë ndërkombëtarë, përçarjen e kohezionit në BE/NATO dhe ndërkombëtar, si dhe kanë mbështetur narrativat e njëri-tjetrit në mjedisin informativ sipas synimeve të tyre.

Raporti nuk përmend emra agjencish të huaja, apo shtetesh, por politikanë dhe analistë vendas e të huaj kanë ngritur përgjatë 2020 shqetësimin se Rusia, Kina e deri te Turqia po nxisin fushata dezinformuese e propagandistike në Ballkanin Perëndimor në përpjekje për të shkaktuar trazira dhe rritur influencën e tyre.

Kjo propagandë, thekson SHISH, përfshiu edhe çdo informacion të gjeneruar nga mediat perëndimore që theksojnë euro-skepticizmin në rritje, si dhe promovuan çdo lajm mbi modelet qeverisëse të tyre si superiore ndaj atyre perëndimore.

“Aktorë shtetërorë jo-perëndimorë dhe ata jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, u angazhuan në fushata dezinformacioni dhe në lidhje me COVID-19, duke rënduar krizën dhe minuar përpjekjet për tejkalimin e saj, përfshi supozime se Perëndimi e ka krijuar virusin, se virusi është një armë biologjike, se BE-ja po dështon në menaxhimin e pandemisë, institucionet euro-atlantike nuk kanë kapacitete reaguese kolektive, se do të shpërbëhen nën këtë presion, etj”, thotë SHISH.

Mediat online dhe rrjetet sociale u bënë përcjellëse te publiku i teorive konspirative dhe raportimeve false.

“Përveç përdorimit të aseteve të tyre mediatike, apo mediave të financuara e orientuara prej tyre për të drejtuar fushata të shenjëstruara dezinformacioni, edhe shpërndarja jo e qëllimtë e informacionit fals dhe teorive konspirative në hapësirën online, ndenja e pasigurisë të publikut dhe nevojës për përgjigje lidhur me COVID-19, i favorizoi për të përhapur narrativat e tyre, propaganduar superioritetin dhe shënjestruar sistemet demokratike si të dështuara”, thuhet në raport.

“Në morinë e teorive konspirative që karakterizuan situatën në shkallë globale, edhe në vendet e rajonit dhe Shqipëri, pati qarkullim të tyre në rrjetet sociale dhe mediat online, të cilat i përcollën në gjuhët vendase. Një numër teorish konspirative janë shpërndarë nga platforma propaganduese, sociale e mediatike, që reflektuan edhe publikimet në kanalet mediatike shtetërore dhe jo-shtetërore të vendeve jo-perëndimore, të regjistruara në këto vende, por edhe jashtë tyre, pa lidhje të qarta shtetërore”, vëren SHISH.

Shpërndarja e qëllimtë, por edhe për motive klikimi, nga llogari rrjetesh sociale, thekson SHISH, patën ndikim në perceptimin e publikut, me impakt në ulje të besueshmërisë për masat kundër COVID-19 dhe rrezikshmërinë reale të pandemisë. Hapësira online e vendeve të rajonit, por edhe vendit tonë, u bë shpërndarëse e këtyre narrativave”.

SHISH vëren se pandemia shpejtoi përdorimin e diplomacisë agresive për të promovuar superioritetin e sistemeve politike autoritare në krahasim me ato demokratike përsa i takon menaxhimit të krizave.

Objektivat kryesore të operacioneve informative të këtyre aktorëve, sipas SHISH, janë nxitja dhe amplifikimi i ndasive politike, sociale, etnike, fetare; minimi gradual i besimit në proceset, në sistemin demokratik, institucionet kombëtare e ndërkombëtare; përçarja e kohezionit kombëtar dhe midis vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së; manipulimi i perceptimit publik mbi to dhe paraqitja e modeleve të tyre qeverisëse si të suksesshme në menaxhimin e situatës në raport me shtetet perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare.

SHISH vëren në raport se pandemia COVID-19, që detyroi institucionet që të ofrojnë shërbimet masivisht përmes platformave online, dëshmoi se si një situatë me vëmendje kaq të madhe publike e ndërkombëtare mund të përdoret nga aktorët kibernetikë shtetërorë dhe jo-shtetërorë për spiunazh kibernetik, aktivitete infuencuese dhe krim kibernetik.

“Aktivitetet online, shtetërore dhe jo-shtetërore, u përdoren edhe nga aktorët shtetërorë dhe krimi kibernetik si vektorë të rinj sulmi, për të arritur synimet e tyre. Risku i sulmeve kibernetike ndaj institucioneve në sektorët shëndetësorë, bankarë, të telekomunikimit dhe entiteteve politike vendimmarrëse, u rrit ndjeshëm. Aktorët kibernetikë shtetërorë e jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 edhe për të grumbulluar inteligjencë, me synim influencimin e opinionit publik sipas interesave të tyre. Shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve u angazhuan në operacione informative, grumbullim informacioni për synime konkurruese gjeostrategjike”, thotë raporti.

Raporti vëren se kriminelët kibernetikë dhe shtete, ose aktorë kibernetikë të mbështetur nga shtete, përdorën krizën, duke shfrytëzuar frikën e popullatës dhe nevojën për informacion, për të arritur qëllimet e tyre, duke përdorur fushata që lidhen me COVID-19.

“Puna e shtuar online e institucioneve shtetërore por edhe private, për shkak të situatës, dhe niveli i sigurisë që shpesh është më i ulët për shkak edhe të kohës së vogël në dispozicion për të përforcuar masat mbrojtëse, mundësuan vektorë shtesë sulmesh. Aktorët jo-shtetërorë dhe hakera kriminalë e shfrytëzuan situatën për aktivitete përfitimi”, thueht në raport.

©Copyright Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT