SHBA e BE nuk i duan talibanët: Por, jemi të detyruar të bashkëpunojmë me ta

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndërmend që të njohin qeverinë e drejtuar nga talibanët në Afganistan, por si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni thonë se bashkëpunimi me ekstremistët është i pashmangshëm.
John Kirby, një zëdhënës i Pentagonit kur u pyet nëse SHBA do të ndërmarrë operacione ushtarake të ngjashme me Britaninë e Madhe për të nxjerrë nga Kabuli shtetasit amerikanë dhe bashkëpunëtorët afganë tha se për momentin trupat amerikane janë udhëzuar që të mbajnë nën kontroll aeroportin e Kabulit.
Kirby u pyet edhe në lidhje me perspektivën e qëndrimit të ushtrisë amerikane në Afganistan përtej 31 gushtit dhe nëse do të kërkohet leje nga talibanët për këtë.
“Është fakt dhe realitet i gjendjes në të cilën ndodhemi se një nivel i caktuar marrëveshjeje dhe bashkëpunimi me talibanët duhet të ketë për të realizuar atë që kemi ndërmend”, deklaori ai.
Zëdhënësi i Pentagonit tha se pavarësisht se talibanët kanë penguar evakuimet e shpejta të qytetarëve nga Afganistani përmes perimetrit të vendosur në aeroportin e Kabulit, nuk ka pasur asnjë ndërveprim armiqësor prej tyre me trupat amerikane.
13 avionë ushtarakë transporti mbërritën në 24 orët e fundit në aeroportin e Kabulit me më shumë trupa amerikane dhe mbështetje logjistike e ushqimore, ndërkohë që në të njëjtën periudhë 12 avionë të këtij lloji fluturuan nga Kabuli me më shumë se 2 mijë të evakuar.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka deklaruar se do të bashkëpunojë me talibanët. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel tha se bashkëpunimi me ta është i domosdoshëm për të siguruar që ndihmat e BE të kenë qasje te qytetarët e thjeshtë afganë.