Europa hesht e refuzon përballë kërkesës për strehimin e afganëve

Shqipëria, Kosova dhe Britania e Madhe janë tre vendet e vetme në Evropë që kanë shprehur gatishmërinë për të strehuar refugjatë afganë që largohen nga regjimi i talibanëve atje, pjesa tjetër e “Kontinentit të Vjetër” po hesht.
Vende të mëdha të Bashkimit Europian, si Gjermania, Franca dhe Italia kanë heshtur përballë kërkesës së SHBA për strehimin e tyre, ndërsa vende të tjera, si Austria, Hungaria dhe Polonia kanë dalë me deklaratë të pastra kundër.
Qëndrimi i Gjermanisë mbetet ende i paqartë. Përllogaritet se janë rreth 10 mijë afganë që kanë punuar drejtpërdrejtë më ushtrinë gjermane në këto 20 vite në Afganistan, ose anëtarë të shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare të mbështetura nga Gjermania.
Zëra pro marrjes së tyre thonë se është detyrim i Gjermanisë që të strehojë këto kategori për arsye humanitare. Por, një vendim zyrtar nuk ka ende. Mediat gjermane thonë se aktualisht po diskutohet me vende të treta pranë Afganistanit në mënyrë që këta persona të strehohen njëherë në këto vende dhe më pas të udhëtojnë në mënyrë të rregullt për në Gjermani.
Disa lande të federatës kanë shprehur gatishmërinë të pranojnë disa mijëra afganë. Ndërsa në qershor një kërkesë në parlament e partisë “Të Gjelbrit” për evakuimin e grupeve të rrezikuara të afganëve, u refuzua nga deputetët.
Në Francë debati është ndezur nga një deklaratë e Emmanuel Macron, që foli ashpër kundër emigracionit të paligjshëm të afganasve në Europë. Aktualisht Parisi ka tërhequr 180 afganë që kanë bashkëpunuar me ushtrinë e tij në Afganistan, por një plan për një tërheqje më masive nuk ka.
Franca kërkon një koordinim ndërkombëtar dhe hezitimi i saj interpretohet nga situata e vështirë dhe popullariteti në rënie që ka Presidenti Macron, që i trembet faktit se një vendim për marrjen e mijëra emigrantëve do të ushqente edhe më tej të djathtët ekstremë të Le Pen.
Italia është ajo që po mundohet ta kalojë në heshtje këtë temë, por në përgjithësi Kryeministri Mario Draghi tha se “Prioriteti i europianëve tani duhe të jetë, pranimi i atyre afganëve dhe familjeve të tyre, që kanë bashkëpunuar me Perëndimin ose janë angazhuar për të drejtat e grave. Por kreu i qeverisë italiane nuk prononcohet qartazi, pasi koalicioni i tij mbështetet nga partitë populiste, si Lega Nord e Mateo Salvinit.
Edhe Greqia ka refuzuar mundësinë e pranimit të refugjatëve nga Afganistani. Ministri i Migracionit Notis Mitarachi deklaroi se “vendi nuk do të bëhet sërish “portë e valëve të parregullta të refugjatëve drejt Evropës.” Sipas autoriteteve greke, aktualisht në vend janë strehuar 40.000 afganë, gjysma janë me status të njohur dhe pjesa tjetër si azilkërkues.
Austria foli me një refuzim total dhe tone të ashpra kundër pranimit të refugjatëve afganë shpreh përmes ministrit të Brendshëm, Karl Nehammer. “Prioritet, tha ai, duhet të jenë bisedimet me vendet fqinje të Afganistanit në mënyrë që të garantohet në rajon mbrojtja dhe ndihma. BE duhe të mbrojë kufijtë e jashtëm. Nuk ka arsye pse afganët të vijnë në Austri”.
Spanja është vetëofruar për të strehuar përkohësisht një numër të reduktuar afganësh. Kjo është oferta e vetme e Madridit.
Në Holandë po diskutohet ndërkohë vetëm për pranimin e refugjatëve, që kanë punuar në kuadër të misionit të NATO-s dhe me organizatat e ndihmës. Këta janë fare pak persona. Një pjesë e kësaj kategorie janë larguar tashmë nga Afganistani, ndërsa ata që kanë mbetur po presin fluturime për në vende të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë e Kosovën.
Suedia dhe Danimarka kanë përjashtuar në kor që të dyja mundësinë e marrjes së refugjatëve afganë, duke cituar përgjithësisht problemet aktuale që kanë me emigrimin e paligjshëm. / Gazeta Shqip