SKANDAL/ KUJDES! Në Shqipëri u konsumuan 12 tonë akullore me substanca kancerogjene. Rrezik serioz për shëndetin

Rreth 12 tonë akullore me përmbajtje kancerogjene janë konsumuar nga shqiptarët para ndërhyrjes së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Shifra del nga të dhënat e vetë AKU.
AKU është vënë në lëvizje pas marrjes së sinjalizimit përmes një e-maili zyrtar nga sistemi europian i sigurisë ushqimore, RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed), ku Shqipëria ishte etiketuar si vend që kishte importuar sasi të mëdha akulloresh me përmbajtje substancash kancerogjene.
“Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca”, me numër reference 2021.3976, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, AKU me marrjen e këtij njoftimi mori masa të menjëhershme për bllokimin dhe tërhqjen nga tregu të këtij produkti”, thotë AKU.
Autoriteti theksoi se nga kontrolli në dy subjekte ishin 36 tonë të importuara, ku u bllokua në gjendje të patregtuar rreth 20 tonë. Nga 16 tonët e hedhura në treg, AKU njoftoi se kishte arritur të bllokonte pa u shitur 4 tonë, ndërsa thuajse 12 tonë të tjerë mendohet se janë konsumuar nga qytetarët.
Të dhënat sipas AKU:
Sasia e shpërndarë në treg – 16104.13 kg
Sasia e kthyer nga tregu – 4356.69 kg
Sasia që rezulton e shitur – 11747.44 kg
RASFF, që vepron nën mbikëqyrjen e Komisionit Evropian paralajmëroi më 27 korrik për përmbajtjen e paautorizuar të substancës oksid etileni të stabilizanti lygomme për akulloret e prodhuara në Francë. Niveli i alarmit të lëshuar është klasifikuar si “serioz”. Praninë e kësaj substance e gjetën autoritetet ushqimore spanjolle, që njoftuan Komisionin. / Gazeta Shqip