A ia vleu e gjithë kjo? Si u trondit Pentagoni nga rënia e Afganistanit

Në katin e dytë të Pentagonit, një hartë e vogël tregon rrugën që përshkroi një aeroplan i rrëmbyer i “American Airlines”, para se të godiste selinë ushtarake më 11 shtator 2001, një sulm që nxiti pushtimin e Afganistanit të udhëhequr nga SHBA.

Disa korridore përmbajnë një poster, të madh sa muri, të një kopertine të revistës Time 2009, me fjalët “Si të mos humbasësh në Afganistan” dhe një imazh të një ushtari amerikan duke tymosur një cigare diku në vend.

Ndërtesa pranë Uashingtonit që ka zyra për më shumë se 20,000 anëtarë të shërbimit dhe punonjës të mbrojtjes civile, është e mbushur me kujtime të 20 viteve të përfshirjes së SHBA në Afganistan, lufta më e gjatë e Amerikës.

A ja vlente e gjitha? – Kjo është një pyetje me të cilën po ballafaqohen udhëheqësit e lartë ushtarakë, pas kolapsit të ushtrisë afgane të stërvitur dhe të financuar nga SHBA, marrjes së shpejtë të shpejtë të vendit nga talebanët, evakuimit të turbullt të civilëve nga Kabuli dhe frikës për hakmarrje nga militantët islamikë në pushtet, ndaj afganëve që ndihmuan forcat perëndimore.

“Ne shohim video dhe fotografi, lexojmë histori që sjellin kujtime për disa prej nesh dhe bëhet shumë personale,” shkroi gjenerali David Berger, komandanti i Trupave Detare, në një memorandum për marinsat.

“A ja vlente? Po. A dhemb akoma? Po,” shkroi Berger.

Nuk duhej të përfundonte kështu

Është e zakonshme që anëtarët e shërbimit të krijojnë lidhje me vendet ku ata vendosen, veçanërisht në luftime.

Kishte një zhgënjim të thellë midis anëtarëve të shërbimit të vendosur në Siri, kur Presidenti i atëhershëm, Donald Trump, në Dhjetor 2018, njoftoi papritur tërheqjen e 2,000 trupave që kishin mposhtur kryesisht Shtetin Islamik (ISIS). Lëvizja u kritikua nga oficerët dhe ligjvënësit si braktisje e aleatëve kurdë dhe lënie e Sirisë në ndikimin e Rusisë dhe Iranit.

Por ndryshe nga Siria, një brez i anëtarëve të shërbimit u ndikua nga Afganistani, një luftë që kishte për qëllim, fillimisht të rrëzonte talebanët dhe të godiste militantët e Al Kaedës, të cilët planifikuan sulmet në Nju Jork dhe Uashington.

Me kalimin e viteve, 800,000 amerikanë u vendosën në Afganistan, me qëllim  “ndërtimin e kombit”. Gati 2,400 u vranë dhe më shumë se 20,000 u plagosën.

Për kritikët, ushtria amerikane ishte pjesë e problemit. Udhëheqësit e lartë ushtarakë shpesh kanë paraqitur pikëpamje tepër optimiste. Sulmet ajrore amerikane dhe bastisjet vranë gra dhe fëmijë.

Kur Presidenti Joe Biden mbajti një fjalim, në të cilin tha se disa afganë të rrezikuar nuk donin të largoheshin, pati zemërim mbi mungesën e ndjeshmërisë së tij.

Në ditët e kaluara, ka pasur zhgënjim për ritmin e ngadalshëm të evakuimeve të qytetarëve amerikanë dhe afganëve në rrezik.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se ata nuk ishin në gjendje të mbanin lotët gjatë javës së kaluar.

Shumë prej tyre u tronditen nga mesazhet që moren nga afganët, teksa u luteshin për ndihmë dhe paralajmëronin se talebanët do t’i vrisnin.

“Unë dua të jem shumë i qartë: shërbimi juaj nuk ishte i kotë dhe bëri një ndryshim,” tha admirali Mike Gilday, shefi i operacioneve detare amerikane, në memon e tij javën e kaluar.

“Do të përfundonte diku. Thjesht nuk duhej të përfundonte kështu,” tha një zyrtar ushtarak./ Reuters – Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT