‘Krimi’ në Lazarat përplas PD-në me SHBA-të: Hakërrim provokativ ose lapsus absurd

Një njoftim i DASH që e cilësonte Lazaratin si të pasigurtë për shkak të krimit dhe që u bënte thirrje shtetasve amerikanë që të mos shkelnin atje, ka shkaktuar pakënaqësi në Partinë Demokratike.
Udhëzimi i DASH doli pasi, Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e futi Shqipërinë në vendet me nivel të lartë rreziku për t’u infektuar me koronavirus.
“Situata e sigurisë në Lazarat mbetet e luhatshme për shkak të krimit dhe dhunës që lidhet me kultivimin e marijuanës. Policia lokale ka aftësi të kufizuara për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët. Qeveria amerikane nuk është në gjendje të sigurojë shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në Lazarat, dhe punonjësit qeveritarë e kanë të ndaluar të udhëtojnë aty”, thuhet në njoftim.
Sipas udhëzimit, COVID dhe krimi duhet t’i bëjë amerikanët të rimendohen përpara se të udhëtojnë në Shqipëri.
“Rishqyrtoni udhëtimet në Shqipëri për shkak të COVID-19. Ushtroni kujdes të shtuar në Shqipëri për shkak të krimit”.
Me njoftimin e DASH, të publikuar edhe nga ambasada e SHBA në Shqipëri, nuk është pajtur deputeti i zgjedhur i PD-së, Tritan Shehu.
Në kundërpërgjigje, Shehu shkruan se ky publikim shfaq hapur urrejtjen patologjike ndaj komunitetit lazaratas, për shpirtin e tyre demokrat, të dëshmuar historikisht.
“Po lexoj thellësisht i habitur në media dhe Web Site e Ambasadës së ShBA një lajm për Lazaratin, ku ai cilësohet si një zonë krimi, e pa sigurt edhe për policinë, për shkak të kanabisit.
Kam mbetur “pa fjalë” nga ky publikim, që shpresoj të jetë një lapsus absurd ose ndoshta dhe një hakerrim provokativ.
Si përfaqësues i atij komuniteti fisnik, punëtor e të ndershem, dhe i të gjithë Qarkut të Gjirokastrës, deshiroj të garantoj cilindo për situaten tejet normale, jashtë çdo përfshirje në krim, të atij fshati ku askush nuk mund të gjejë qoftë dhe një rrënjë kanabis.
E bëj këtë duke e ftuar çdonjërin që dëshiron të shkojmë së bashku, ta vizitojmë, të bisedojme me banoret aty dhe pse jo të marrim edhe një kafe.
Ai komunitet, i persekutuar rëndë gjatë komunizmit, i lënë krejt në harresë e persekutim nga regjimi i Ramës, është bartës i vlerave e idealeve demokratike, Europiane dhe të miqësisë së thellë me ShBA.
Ky është realiteti aty që nuk mund të tjetersohet as nga keq informimet dashakeqese të Qeverisë sonë e instrumentave të saj, si pasojë e njëurrejtje patologjike, pikërisht për shpirtin demokrat të lazaratasve“, shkruante ai.
Një ditë pas “përplasjes” me SHBA-të, Tritan Shehu akuzoi qeverinë se po fsheh të dhënat e skanimit ajror të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, të realizuara nga Guardia di Finanza.
Shehu i kërkon SHBA t’ia kërkojë këto të dhëna qeverisë, që të mos bëhen “gabime të tilla si me Lazaratin.”
“Qeveria po fsheh të dhënat e skanimit ajror për kultivimin e kanabisit. Prej disa kohësh Qeveria i ka marrë të gjitha të dhenat e ketij viti të skanimit ajror për kanabis në nivel vendi, të realizuara nga Guardia di Finanza.
Megjithëse është detyrim i saj për t’i bere publike, ajo nuk po e bën këtë. Sepse “Republika e Kanabisit” e krijuar nga ky regjim konfigurohet në ato filmate e materiale, ku duken qartë dimensionet gjigande të kanabizimit të vendit, me të gjithë pasojat e rënda kjo për kriminalizimin e shtetit, si dhe me efektet shkatërruese sociale e shëndetësore mbi popullsinë.
Nje kanabizim i tille nuk mund të realizohet pa përfshirjen e strukturave shtetërore në këtë vepër kriminale, njëlloj si në vitet 2014-17.
Fshehja e ketyre të dhenave është një dëshmi e panikut qeverisës nga e vërteta e bashkëfajesisë së saj për kanabizimin e vendit.
Qeveria jo vetem duhet t’i bëjë publike keto materiale, por duhen informuar përato dhe partnerët e tjere, te cilët vetë duhet të insistojne për publikim.
Kjo jo vetëm do të minimizonte gabime e konfuzione të tyre, qoftë dhe si pasojë e mashtrimeve qeverisesë si ai i djeshëm për Lazaratin, por dhe do t’i ndihmonte të kuptonin këtë gjendje të rënde e të ndihmonin seriozisht në përballjen e domosdoshme me atë.”, shkruan Shehu.
Kujtojmë se Lazarati, fshati shqiptar i njohur botërisht për kultivimin e drogës, ka që prej vitit 2014 që është hequr nga harta e zonave që mbjellin kanabis. Gjithsesi, DASH thotë se situata e sigurisë atje është e paqëndrueshme dhe Policia lokale ka aftësi të kufizuara për të mbrojtur udhëtarët.
Edhe pse kjo po shihet nga opozita si një goditje ndaj saj, ky raport në fakt, në radhë të parë është goditje për policinë dhe imazhin e vendit./Gazeta SHQIP