La mandatin e deputetit ‘se Delta po mbush Infektivin’, por kur Najada Çomo pranoi kandidimin covid bënte kërdinë (SHIFRAT)

Ishte data 4 mars, kur kryeministri Edi Rama befasoi jo pak kur njoftoi se doktoreshë Najada Çomo do të kandidojë për deputete nën siglen e PS.
Kandidimi, që për shumë ishte surprizë, sipas Ramës erdhi si vlerësim për punën e saj të bërë në vijën e parë të luftës me COVID.
Po në ditën që Çomo u kandidua për deputete, ministria e Shëndetësisë njoftonte se 20 persona kishin humbur jeten nga covid, ndërsa raportohej edhe për 847 persona të infektuar.
Edhe ditët që do të vijonin, numri i vdekjeve dhe të infektuarve do të ishte jashtëzakonisht i lartë.
Çfarë ndodhi 5 muaj më vonë?
Pesë muaj më vonë, do ishte sërish kryeministri Edi Rama që do njoftonte se shefja e Infektivit kishte vendosur të dorëzonte mandatin e deputetit, ende pa u futur në parlament. Por ndërsa “puna e mirë ndaj covid” ishte ajo që e futi në parlament, sërish covidi e largoi.
Kryeministri Edi Rama tha një ditë më parë se shefja e shërbimit infektiv ka zgjedhur të vijojë punën e saj në shërbimin infektiv pasi është rritur shifra e personave të shtruar në pavionin e terapisë intensive, si pasojë e variantit Delta.
“Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. E falenderoj për këtë shembull kuptimplotë dhe i them sot një faleminderit shumë të madhe. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështirë”, tha Rama.
Si qëndron e vërteta e shifrave?
Nëse bëjmë në analizë të situatës së covid gjatë kohës që Najada Çomo pranoi të kandidonte nën siglën e PS dhe momentit që u njoftua dorëzimi i mandatit nga ana e saj, duket se ka një ngërç, që bën të ngrihen dyshime mbi “alibinë” e largimit të saj.
Shifrat zyrtare të raportuara nga ministria e Shëndetësisë, tregojnë se situata në muajin mars dhe prill ishte dukshëm më kritike sesa në gusht.
Edhe pse realisht ka një rritje të numrit të rasteve me covid në Shqipëri si pasojë e variantit Delta, numri i vdekjeve kur zonja Çomo pranoi mandatin e deputetit shkonte nga 10-20, çdo ditë.
Ja disa nga shifrat
4 mars, 847 raste të reja dhe 20 humbje jetë
10 mars, 631 raste të reja dhe 17 humbje jetë
15 mars, 543 raste të reja dhe 15 humbje jetë
22 mars, 344 raste të reja dhe 8 humbje jete
23 mars, 303 raste të reja dhe 11 humbje jete
30 mars, 304 raste të reja dhe 11 humbje jete
25 prill, 128 raste të reja dhe 6 humbje jete
1 gusht, 40 raste të reja, asnjë i vdekur
10 gusht, 220 raste të reja, asnjë i vdekur
25 gusht, 3 viktima dhe 844 raste të reja
Gazeta SHQIP