“Berisha, dhëmballë e prishur e PD”/ Rama: Ju tregoj se Basha s’e shkul dot

Kryeministri Edi Rama ironizoi paraardhësin e tij, Sali Berisha, duke e cilësuar si dhëmballë të prishur të opozitës, ndërsa thumboi Lulzim Bashën për paaftësi për të shkulur këtë dhëmballë.
”PD do të vijë me dhëmballë të prishur, as nuk ka kurajo ta shkulë, as vullnet ta shqetësojë. Nuk është arsye për t’u marrë me dhëmballën e saj, as për të gëzuar për shpërfytyrimin e PD. Sa kohë dhëmballa do të jetë aty, fytyra e PD do të jetë e pavotueshme”, tha ai.
Megjithatë, Rama kërkoi nga socialistët që në këtë mandat të mos merren me PD.
Ne nuk e kemi pasur prej kohësh, edhe pse kemi lënë përshtypje, nuk duhet të kemi në fokus luftën me PD. Në fund të këtij mandati, nuk do të vlerësohemi për çfarë thamë e çfarë i bëmë PD-së, do të gjykohemi për sa më lart do ta ngjisim Shqipërinë. Luftën tonë ne e kemi me problemet e vendit dhe hallet e shqiptarëve, me opozitën kemi betejën politike, patjetër do e bëjmë, por me një qasje e cilësi të ri. Kemi eksperiencën e nevojshme për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik”, u shpreh ai.
Berisha u shpall non grata nga SHBA në muajin maj dhe për këtë vendim ai akuzoi Ramën dhe Soros.