LARGIMI NGA LSI/ Luan Rama, mes Kryemadhit dhe Metës, gjithë sherri u bë për Grejsin, vajzën e dytë në listën e LSI

Luan Rama iku sot nga LSI duke marrë përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit 2021 ku ai kryesonte qarkun e Vlorës. Rama në sqarimin e tij të gjatë flet për faktorë jashtëpolitikë që ndikuan në rezultatin e Vlorës.

Edhe pse gjithmonë para zgjedhjeve u përpoqën të mohojnë zërat për sherret e LSI në këtë qytet, u vu re qartë se LSI e Vlorës nuk gjeti paqe.

Shkëlqim Selami, një politikan që dikur kishte dhënë mbështetje për këtë forcë politike, në këto zgjedhje u rreshtua me Edi Ramën duke dalë nga “vatha” e LSI.

Ilir Meta, mbështeti fuqishëm bashkëpunëtorin e tij të të gjitha kohërave, Luan Ramën. Por duket se nuk kishte të njëjtin mendim Monika Kryemadhi dhe zërat e përplasjes shtoheshin gjithmonë e më shumë.

Petrit Vasili nuk e kishte për gjë të shkonte në Vlorë dhe të bënte thirrje për të votuar Grisejda Myslymin, vajzën e vendosur e dyta në listën e LSI-së në Vlorë, një pedagoge e UET dhe energjia e të rinjve siç thuhej rëndom brenda radhëve të LSI, do ti jepte një frymëmarrje të re qytetit.

Grejsi, siç I thërrisnin të gjithë, mund të kishte mbështetjen e të rinjve, por jo eksperiencën e duhur politike.

Luan Rama nuk u ndihmua as nga Flamur Çelaj, ish-sekretar I LSI për çështjet e sigurisë që është edhe vlonjat. Me të vëllain biznesmen dhe me njohje të shumta në qytet, ai nuk u radhit siç duhet në listën e kandidatëve për deputetë. Dhe afërmendsh, ndoshta nuk do të shpenzonte kohë, para, e energji, që të fitonte dikush tjetër në krye të listës, kur vetë ai kishte shprehur ambiciet për të qenë I pari në radhë.

Të gjitha këto, Luan Rama I përmend shkarazi duke shkruar “rrethana specifike dhe paradoksalisht penguese prej faktorësh jashtëpolitike që u krijuan në Vlorë”, por asnjë prej këtyre faktorëve, nuk ishte jashtëpolitikë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT