“Kalbini në burg, barbarët”/ Rama ashpërson gjuhën dhe u bën kërkesën e prerë Gjykatave

Kryeministri Edi Rama premtoi rritje page për punonjësit e Emergjencave Civile, pasi sipas tij vendosin jetën në rrezik për mbrojtjen e vendit.

Ai gjithashtu ashpërsoi gjuhën ndaj zjarrvënësve. Rama u shpreh se shumë prej tyre janë identifikuar dhe arrestuar, e kërkoi nga gjykata që t’i japë një dënim shembullor, që fenomene të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

“Do bëjmë atë që duhet për të rritur edhe pagën, që nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme, sepse nuk është e mjaftueshme askund, kur cilido që i përket këtyre trupave përballet me një sfidë që kërcënon jetën e tij, por si gjithmonë një motiv më shumë, jo vetëm për të çuar në shtëpi më shumë të ardhura të merituara nga puna, por për të ndjerë vlerësimin për punën që bën.

Policia e Shtetit ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, që nuk meritojnë të jenë të lirë mes qytetarëve të lirë të këtij vendi, meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj që gjykatat të japin vendimet e duhura dhe shpresoj që gjykatësit të jenë në lartësitë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe aq shumë pemë, burime jete të shkatërruara.

Këto nuk janë pasuria e askujt individualisht, ata janë pasuria jonë, thesari që ne duam t’ia trashëgojmë fëmijëve tanë, edhe gjykatësit. Këta kriminelë barbarë, jo vetëm të kalben në burg, por të shërbejnë për t’i dhënë një mesazh të qartë,” tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT