SHBA vihet në lëvizje/ Yuri Kim takon kreun e SPAK: Nuk ka rëndësi partia, luftoni dhe hetoni korrupsionin e krimin

Përpara nisjes së punimeve të Parlamentit, ndërkombëtarët janë në lëvizje duke zhvilluar takime me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka sot zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja. Takimi është njoftuar nga vetë diplomatja amerikane nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“U takova me shefin e SPAK, Arben Kraja për të nënvizuar pritshmërinë që SHBA ka që SPAK do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar – pa marrë parasysh sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cila parti. Me më shumë prokurorë dhe hetues të rinj të BKH, SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate çdo ditë”, shkruan Kim.
Diplomatja amerikane flet me shifra për punën e SPAK, duke theksuar se çështjet po ndiqen hap pas hapi.
“Që nga fillimi i vitit 2021, SPAK ka hapur 264 hetime të reja (218 korrupsion + 46 krime organizative). 127 persona janë dënuar. Vendimet përfundimtare të gjykatës konfirmuan konfiskimin e më shumë 70 milionë eurove që tani i janë transferuar shtetit shqiptar. Hap pas hapi…”, thekson më tej diplomatja amerikan.
SHBA ka kërkuar kapjen e peshqve të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit dhe apeli më i fundit i Kim lidhet me faktin që SPAK dhe BKH të mos ndikohen se cili është personi që duhet hetuar, duke u ndikuar nga ngjyra partiake.