Vettingu/ Shkarkohet prokurori “magjistar”, dha 50 mijë euro dhe do merrte mbi 100 mijë euro

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokurorin e Lushnjes Arben Dyli. Vetë prokurori ishte i pranishëm në seancë për të marrë vendimin e KPK.
Arben Dylai rezulton se ka dhënë 50 mijë euro me dy përqind fajde një biznesmeni me kushtin që në fund të 2021 t’i rikthehej shuma prej 110 mijë euro brenda 5 viteve.
Dhënia me përqindje e parave ndodhi mes palëve në vitin 2016, sipas gjetjeve te KPK, teksa komisionerët e Vettingut kujtuan se shuma prej 50 mijë euro ishte deklaruar si kursimet ‘cash’ të prokurorit Dyla, prej kohës kur ai hyri në sistem në vitin 2001. Për këto rrethana që hedhin dyshime mbi dhënien me fajde të parave që është e ndaluar me ligj, prokurori pretendon se ishte lënë si garanci nga biznesnemi një apartament në të cilin Dyla jetonte së bashku me familjen.
Por, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit insistoi se ka dyshime që nuk bëhet fjalë për një kontratë huamarrjeje pasi subjekti ka patur si qëllim blerjen e apartamentit, për të cilin nuk justifikonte dot të ardhurat. Subjekti ka blerë apartamentin në fjalë në shumën e 110 mijë eurove, teksa kishte deklaruar si të ardhura të tijat dhe të bashkëshortes shumën prej 50 mijë eurosh që i mbante ‘cash’ në shtëpi thanë komisionerët e Vettingut.
Prokurori Dyla kundërshtoi duke këmbëngulur se nuk kishte logjikë që të blinte apartament pa kontratë dhe kërkoi riçelje të hetimit administrativ. Ndërkohë që KPK theksoi se prokurori ishte pronar i një automjeti dhe se u gjet me balancë totale negative prej 14.4 milionë lekë.