Dy seanca brenda ditës/ Parlamenti nis vrullshëm, ja çfarë parashikohet

Seanca e parë e Parlamentit do të mbahet nesër në ora 10:00. Ky është edhe njoftimi zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë.
Të premten do të shënohet dhe nisja zyrtare e përplasjeve dhe debateve politike në tempullin e demokracisë, e cila kësaj here shënon dhe kthimin e PD-së në Parlament, së bashku me aleatët e saj.
Seanca e Parlamentit pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që në këtë rast është deputetja e PS-së, Luljeta Bozo.
Legjislatura e X të Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillohet ditën e premte, datë 10.09.2021, ora 10:00, duke kryer mbi të gjithë procedurat që parashikohen.
Më tej 3 deputetë, me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.
Me hapjen e mbledhjes së parë, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre. Më pas një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.
Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin për të vijuar me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, i cili duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë.
Gazeta “Shqip” ka mësuar se do të ketë edhe një tjetër seancë brenda datës 10 shtator. Bëhet fjalë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit. Sicc dihet PS, kryesocialisti ka propozuar për këtë post emrin e Lindita Nikollit, e cila deri më tani nuk ka ndonjë kandidaturë rivale.
Seanca e dytë parlamentare do të mbahet në ora 17:00 ajo do të njoftohet nga kryesuesja e seancës, Bozo dhe do të vijojë me zgjedhjen e kryeparlamentares.