Si hynë dhe si dolën nga selia blu/ “Tërmeti” që shkaktoi Basha në PD me përjashtimin e Berishës

Në selinë blu, ditën e sotme është zhvilluar një takim, ku të pranishëm kanë qenë vetë lideri Lulzim Basha, kryesia e grupit dhe drejtuesit politikë nëpër qarqet e vendit. Theksi i diskutimeve në këtë mbledhje ka qenë koordinimi i Partisë Demokratike nesër në punimet e parlamentit.
Në hyrje para mbledhjes anëtarët e PD u shfaqën të qeshur. Por menjëherë pas kësaj mbledhjeje, Lulzim Basha, doli me një deklaratë për mediat, ku njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD.
Vendimi shkaktoi pakënaqësi për disa deputetë që e shprehën hapur mosdakordësinë.
Megjithatë Basha dukej i vendosur në këtë përfundim, ku mësohet se brenda mbledhjes së PD ka thënë: “Ky është vendimi i jetës sime, s’dua që PD të përçahet, e di vetë se çfarë bëj, marr të gjithë përgjegjësinë. Nuk e hedh për votim për të mos çarë partinë”.
Mësohet se shtatë deputetë kanë dalë kundër vendimit të Bashës për të përjashtuar Berishën. Deputetët që kanë dalë kundër janë: Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Luçiano Boçi, Flamur Noka, Bujar Leskaj dhe Kreshnik Collaku.
Ndërkohë pro vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha kane dalë Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula, Tomor Alizoti dhe Agron Gjekmarkaj.