“Lëri mor ti ato aty se do numërohen” dhe nënqeshja e KM/ Çfarë nuk u pa kur Rama mblodhi fletët e grisura të PD (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ‘vodhi’ sërish vëmendjen ditën e sotme në seancën parlamentare me gjestet e tij.
Deputetët e Partisë Demokratike, në shenjë proteste për zgjedhjen e Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit, grisën fletët e votimit dhe i hodhën përtokë rreth kutisë.
Në momentin që Rama u ngrit për të votuar, ai filloi të mblidhte edhe copat e letrave në tokë dhe kërkoi një qese për t’i futur.
Ky gjest u shoqërua me duartrokitje nga deputetët e mazhorancës por në video dëgjohen zëra kundërshtimi nga radhët e opozitës.
“Lëri mor ti aty se do numërohen, çfarë po bën,” dëgjohen zëra nga opozita.
Ndërsa Rama herë pas here e shoqëronte gjestin e tij me nënqeshje për të ironizuar opozitën.
“Mjedisi nuk është as i majtë as i djathtë dhe respekti për mjedisin është në radhë të parë respekt për veten, për njëri-tjetrin, për fëmijët tanë. Hedhja e mbeturinave përtokë mu në dyshemenë e Kuvendit, kur njerëzit ndjekin ditën e parë në punë të përfaqësuesve të tyre, nuk është as mesazh politik, as gjest civil, as shprehje njerzillëku,” shkruan Rama krahas videos së postuar.