Tani nis lufta, por brenda PD-së!

Lulzim Basha shpalli vendimin më të vështirë të karrierës politike së tij, atë të “vrasjes së babait politik”. Edhe pse te “Misioni im”, titulli i librit të tij, shoqërohej me premtimin për të mos e “vrarë atin politik”, pavarësisht se shumë persona ia kishin kërkuar largimin e Berishës nga PD.
“Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8-vjeçar i Edi Ramës”, deklaroi Basha, duke e “ngrirë” liderin historik të demokratëve.
Më tej Basha u shpreh se “ky, ishte një nga momentet më të vështira për mua, si kryetar i Partisë Demokratike, si demokrat, si njëri prej jush, por edhe si një bashkëpunëtor i afërt prej vitesh i z. Berisha”.
Ky vendim ka tronditur së pari Berishën, por edhe ithtarët e tij që njihen si pjesa radikale, pasi Basha zgjodhi rrugën që të shpëtonte PD-në nga ajo që ambasadorja amerikane Yuri Kim tha në mesazhin e saj, që partia që solli demokracinë në Shqipëri të mos kthehet në fije bari, pra të izolohet, duke i mbajtur “ison” Berishës, por të jetë partnere e SHBA-ve.
Basha propozoi një lloj “ngrirje” të Berishës, një metodë që dikur ish-kryeministri e aplikonte me kundërshtarët e tij brenda partisë. Akti i Bashës mori bekimin e SHBA-ve, ku ambasada në deklaratën e saj u shpreh se “vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt”.
Më tej ambasada në qëndrimin e saj do të shtonte se “presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”.
Ky akt ka vulosur çarjen e madhe mes Berishës dhe Bashës, e ku lufta ka nisur brenda PD-së. Slogani i PD-së nga “Rama ik” është kthyer në “Basha ik” dhe kjo u artikulua nga goja e Berishës dhe nga mbështetësit e tij. Basha pas humbjes së zgjedhjeve deklaroi nga selia e PD-së se tani nis lufta, duke nënkuptuar se do të ketë betejën të ashpër me mazhorancën socialiste.
Disa muaj pas zgjedhjeve, Bashës do t’i duhet të përqendrojë energjitë më tepër te lufta e brendshme në PD se sa te strategjia për rrëzimin e Ramës, kjo të paktën derisa t’i sheshojë përplasjet me “babain politik”. Berisha ka ndezur motorët e fushatës kundër Bashës duke dalë në bazë, ndërsa ky i fundit i duhet t’i çmontojë lëvizjet me anë të strukturave të PD-së./Gazeta Shqip