Vangjel Dule shton akoma misteret brenda PS e LSI: Nuk votova unë pro Lindita Nikollës

Votimi i Lindita Nikollës në postin e kryetares së Kuvendit me 79 vota pro dhe 4 kundër, rriti dyshimet se pati rrjedhje të votave brenda radhëve të opozitës. Gjashtë deputetë të opozitës morën pjesë në këtë votim duke hedhur votat në kuti. Ata ishin Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Agron çela dhe Erisa Xhixho të LSI-së, si dhe Vangjel Dule i PBDNJ dhe Nustret Avdullai i PDIU.
LSI nxitoi të deklaronte se katër deputetët e saj nuk kishin votuar pro, por kundër kandidaturës së Lindita Nikollës, duke e hedhur topin te dy opozitarët Dule dhe Avdullail, që të dy të dalë nga listat e PD-së si deputet.
Por sot ka ardhur edhe një herë reagimi i Dules, i cili bëri të ditur se ai ka votuar kundër emrin të propozuar nga Partia Socialiste për postin e kryetarit të Parlamentit.
“Megjithë deklaratën time të qartë dje pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, në prani të
shumë mediave, ende vazhdon të përhapet një tymnajë mediatike e pakuptimtë. Ashtu siç pata kurajon publikisht të diferencohem, për arsye konceptimi të ndryshëm, nga shumica e kolegëve opozitarë në mënyrën e votimit, për më tepër nuk më mungon ajo ta pohoj po publikisht, në respekt të së drejtës së qytetarëve për të ditur të vërtetën që tentohet të shtrembërohet qëllimisht, pavarësisht se nuk është etike në rastin e votës së fshehtë, se vota
ime ishte kundër kandidaturës së Zonjës Nikolla”, deklaron Dule.
Dule shton misteret e votave me këtë qëndrim duke e pasuar topin te LSI-ja. Misteri mund të shtohet akoma më shumë nëse mund të ngresh një teori konspirative nëse votat pro nga opozita mund të ishin më shumë se dy, duke aluduar se brenda PS-së mund të ketë vota kundër. Mazhoranca aktuale nga 77 vota gjithsej, 74 si PS dhe 3 nga PSD.