Si fitoi me vetëm 500 mijë euro një koncesion miliona eurosh biznesmeni Sula

Në mes të 2018-s, Qeveria vendosi të heqë dorë nga ofrimi i shërbimit të kontrollit të matësave të karburantit dhe ta kalojë atë te privati përmes koncesionit. Koncesioni u dha pas një oferte të pakërkuar nga kompania “Noa Control”, që më pas krijoi kompaninë koncesionare “Noa Inspect”.

Koncesioni i pompave të karburantit është një propozim i pakërkuar që i është bërë qeverisë shqiptare që në vitin 2016. Që në atë kohë projekti u mbajt pezull, ndërsa u miratua fillimisht në korrik të 2018-s, ndërsa u vulos me kontratën e firmosur mes palëve në gusht të 2019.

Kjo kompani zotërohet 100 për qind nga biznesmeni Gentian Sula. Por, ideja fillimisht u bllokua për shkak të pengesave që dolën rrugës nga ankesat në Komisionin e Prokurimeve Publike, nga nje kompani zvicerane dhe nga shoqata të biznesit të tregtimit të hidrokarbureve.

Ankesë në KPP kishte dorëzuar kompania zvicerane Penzoil Trading SA, me pretendimin se kriteret e tenderit favorizonin qartë kompaninë “Noa Inspect” dhe diskriminonin komanitë e tjera të interesuara për të ofruar këtë shërbim, sidomos ato ndërkombëtare.

Përveç kompanisë zvicerane, që nuk u shpall fituese në garën për marrjen e këtij koncesioni, në KPP u ankua edhe shoqata e mbrojtjes së shoqërive të tregtimit të hidrokarbureve. Ajo cilësoi si të paligjshëm bonusin prej 10 për qind për kompaninë “Noa Inspect” për ofertën e pakërkuar, madje tha se edhe vetë koncesioni ishte i paligjshëm.

Sipas shoqatës, të drejtën ekskluzive për të kontrolluar matësat e karburanteve e kishte Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, pra shteti dhe kjo e drejtë sipas këtij ligji nuk mund t’u delegohej operatorëve të tretë privatë.

Pas këtyre ankimimeve, zbatimi i kontratës koncesionare mbeti pezull. Më 15 korrik 2019 kompania “Noa Inspect” u njoftua fituese dhe më 21 gusht 2019 u lidh kontrata koncesionare me afat 10 vjet.

Kompania “Noa Inspect” u shpall fituese me ofertën prej rreth 530 mijë euro, ndërsa te ardhurat për një periudhë 20 vjeçare nga ky koncesion parashikohen minimalisht te 50 milionë euro.

Koncesioni fillimisht rriti lehtë kostot e bizneseve që vepronin në fushën e hidrokarbureve, për shkak të rritjes së çmimit nga ana e kompanisë “Noa Inspect” në krahasim me çmimet që ofronte shteti dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për kontrollin e matësave.

Por, ndryshimet nuk do të mjaftoheshin me kaq. Në 2020, një ndryshim i ligjit përcakton minimumin e njësive matëse, pra pompave të karburantit që operojnë në gjithë vendin përgjatë të gjithë pa kufizuar peridicitetin e tyre.

Ndryshimet u miratuan në korrik të 2020-s dhe hyrja në fuqi e tyre i jepte mundësi kompanisë koncesionare “Noa Inspect” të biznesmenit Gentian Sula që të kontrollonte jo më pak se 5 për qind të pompave matëse të karburanteve, duke i lënë dorë të lirë për tavanin e tyre, ndërsa para këtij ndryshimi ligji parashikonte një kontroll periodik jo më shumë se dy herë në vit për të njëjtën pompë.

“Të gjitha instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, i nënshtrohen verifikimit që mund të jetë fillestar, pasardhës, periodik i rregullt, i kryer në intervale kohore specifike dhe jashtë radhe. Në varësi të analizës së riskut dhe problematikave të tregut, por në çdo rast jo më pak se 5%, periodiciteti i verifikimeve të lartpërmendura do të jetë të paktën objekt dyfishimi. Verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, bëhet jo më pak se dy herë në vit dhe përfshin kontrollin dhe sigurimin e regjimit automatik”, thuhet në ligjin e ndryshuar.

Kjo do të thotë se sot, kompania “Noa Inspect” mund të kontrollojë sa herë të dojë dhe ku të dojë pompat matëse të karburanteve në të gjithë Shqipërinë, duke përfituar nga bizneset e tregtimit të tyre 7 mijë lek për çdo pompë të kontrolluar.

Kosto shtesë që paguajnë qytetarët

Kur qeveria delegon ofrimin e një shërbimi te privati, arsyeja kryesore është përmirësimi i cilësisë së këtij shërbimi për qytetarët dhe interesin publik në kurriz të rritjes së kostos. Prandaj, edhe në koncesionin e kontrollit të pompave të karburanteve pyetja që duhet të ngrihet është se sa është përmirësuar ky shërbim prej momentin që e ofron privati?

Në këtë rast, “Noa Inspect” vetë nuk ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë me qytetarët, por në mënyrë indirekte është një faktor ndikues të xhepat e tyre. Si? Kostoja shtesë që bizneset e tregtimit të karburanteve paguajnë sot për kontrollin e pompave të tyre transferohet automatikisht te qytetari, që e paguan të çmimi i çdo litri karburant që blen.

Shqipëria rezulton një ndër vendet me çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe kjo për shkak të taksave që aplikohen në një litër naftë. Sipas përllogaritjeve 110 deri në 120 lekë në një litër naftë shqiptarët paguajnë vetëm taksa dhe koncesion e shton edhe më shumë koston si për qytetarët edhe për bizneset.

Kompania nuk ishte e përgatitur

Kompania koncesionare, “Noa Inspect”, me 100 për qind të aksioneve pronar biznesmenin Gentian Sula nuk ishte e përgatitur për të kontrolluar tregun e pompave në kohën që u shpall fituese e këtij koncesioni.

Në këtë përfundim mbërrin vetë një raport i kompanisë, i dorëzuar në Qendren Kombëtare të Bizneseve për vitin 2019. Në raportin me titull “Raport për ecurinë 2019” jepet përmbledhja e punës që ka bërë kompania deri në fund të atij viti, pra nga momenti i nënshkrimit të kontratës me Ministrinë e Financave më 21 gusht deri më 31 dhjetor të atij viti.

Raporti thotë se “gjatë 2019 Noa Inspect u angazhua në kryerjen e aktiviteteve kryesore përgatitore për nisjen e shërbimit. Sipas planit të aktiviteteve Shërbimi do të fillojë të kryhet në 2020. Në fazën e parë, NOA Inspect u fokusua në përgatitjen e planit të punës dhe përgatitjen e analizës së risqeve për projektin. Kjo fazë ishte shumë e rëndësishme për të vendosur bazat për ecurinë e projektit.

Faza e dytë lidhet me kryerjen e aktiviteteve të nevojshme për fillimin e Shërbimit, duke përfshirë, sipas raportit “a) Kryerjen e Investimit për blerjen e pajisjeve; b) Investimin për softëare; c) Rekrutimin e stafit; ç) Trajnimin e stafit; d) Vënien në punë të pajisjeve, softëare dhe përgatitja për fillimin e Shërbimit. Edhe në këto aktivitite Noa Inspect ka përparuar sipas planit. Tashmë janë blerë dhe kalibruar paisjet, janë marrë dhe mjetet motorrike që do të përdoren për grupet e inspektimit si dhe është kaluar na fazën e testimit të softëare”.

Gjithashtu, raporti thotë se janë rekrutuar dhe inspektorët, të cilët kanë kryer tashmë gjithë trajnimin hyrës, ndërsa kanë nisur në 2020 trajnimin praktik.

Marre nga Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT