Zyrtarizohet krisja/ PD i bën dalje LSI, Alibeaj: Mos i bini në qafë opozitës për komisionet

Zyrtarizohet krisja mes PD-së dhe LSI-së dy aleatët e opozitës përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Që në nisje të seancës parlamentare LSI-ja ka kërkuar që të jetë pjesë e komisioneve parlamentare, por që socialistët kanë kërkuar që këtë përplasje ta zgjidhin brenda opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se PD duhet të korrigjojë gabimin me shpërndarjen e deputetëve të saj, duke i lënë hapësira LSI-së dhe PSD-së.

“Kërkova fjalën për procedurë dhe mendoj që grupi parlamentar i Partisë Demokratike ose ka reflektuar ose do të reflektojë në lidhje me shpërndarjen e deputetëve në grupet parlamentare. Për të ruajtur këtë balancë do t’i kërkoja grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të rregullojë këtë gabim dhe në seancën pasardhëse çdo deputet të jetë pjesë e vetëm një komisioni. PS i vetmi grup parlamentar që është në këtë shumicë, të tjerët janë në opozitë. Për të ruajtur këtë balancë do i kërkoja që grupit të PD të ndreqi ndonjë gabim ku ndonjë deputet është vendosur në më shumë se dy komisione. Deputetët e regjistruar si deputetë të pavarur, 4 deputetët që përfaqësojnë LSI apo PSD dhe ata të depozitojnë brenda kohës së përcaktuar propozimet për komisionet parlamentare. E fundit dua ta falenderoj opozitën për dakordësinë që patëm dje për të vijuar ditën e sotme me këtë seancë ku do të prezantohet programi politik” – tha Balla.

Në përgjigje të Ballës ka reaguar edhe deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj i cili u shpreh: “Nuk bëtë gjë tjetër veçse respektuat rregulloren. Një nga kërkesat që kishim dje ishte që programi, i cili është i panjohur për deputetët, por edhe për qytetarët do duhet të kishte dy tre ditë kohë sa publiku dhe deputetët të njiheshin.

Kërkesa jonë për komisionet është paraqitur te ju. Bazuar në rregullore është bërë shpërndarja e deputetëve, nëse keni dëshirë për të kufizuar anëtarësinë e opozitës dhe për t’i hequr numrat opozitës, është çështje që s’ka për të ecur. Deputetët tanë janë këta, janë të shpërndarë në komisione dhe është çështje tjetër nëse ju nuk gjeni gjuhën me njeri tjetrin. Ne kemi paraqitur kërkesën, është e listuar nga ana juaj, zgjidhni hallet me njeri-tjetrin po jo duke i rënë në qafë opozitës.”

Ai ka thumbuar socialistët duke deklaruar se “kjo është çështje nëse s’ju s’gjeni gjuhën e përbashkët”.

Qëndrimet e fundit të LSI-së kundër Bashës e kanë thelluar akoma më shumë përçarjen me PD-në dhe kjo u duk me lënien jashtë LSI-së në komisionet parlamentare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT