Rama paralajmëron bashkitë “zhulse”: S’merrni kokërr leku nëse nuk pastroni qytetet

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar 0 grant për bashkitë që nuk pastrojnë qytetet.
Ai tha se duke nisur nga janari i vitit që vjen do të vijojë aksioni në vijën bregdetare të vendit, për të evidentuar abuzimet për ndërtimet pa leje apo dhe rastet e ndotjeve.
Po ashtu ai paralajmëroi dhe kryebashkiakët e vendit, që të kujdesen për territorin e bashkive të tyre, pasi në të kundërt nuk do të përfitojnë asnjë grant nga qeveria.
Mes të tjerash Rama tha se duke nisur nga 1 qershori i vitit që vjen, do të hiqen nga qarkullimi qeset plastike.
“Qeveria e re do të vendosë një parim të panegociueshëm në shpërndarjen e fondeve për bashkitë: Në fillim pastërtia dhe pastaj gjërat e tjera. Rritja e konsumit dhe turizmit nuk mund të shoqërohet me rritjen e papastërtive.
Ose thënë shqip, rritja e sasisë së plehrave. Bashkitë që nuk pastrojnë plehrat nuk do të fitojnë asnjë lloj granti të pakushtëzuar nga Buxheti i Shtetit. Pastërtia do të kthehet në kryefjalën e çdo qeverie lokale”, tha Rama.