Berisha: Basha gënjeu! Në 2021, PD mori 74 mijë vota më pak se në 2013

Sali Berisha akuzoi Lulzim Bashën se ka gënjyer demokratët duke u paraqitur rezultatin e 2021 si rezultatin më të mirë në krahasim me zgjedhjet e 2013-ës.

“74 mijë vota më pak, kjo është e vërteta nëse e krahasim me 2013-n aleancë për aleancë”, deklaroi ai.

Berisha tha se PD është në gjendjen më kritike të saj.

“PD është në gjendjen më kritike të ekzistencës së saj. Kurrë PD nuk ka qenë në një ditë të tillë. Ka 8 vite që ka humbur çdo nismë përveç ligjit të dekriminalizimit. Ka 8 vjet që ka humbur çdo aksion 100 për qind. Ka 8 vjet që para syve i shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe ajo nuk i del zot. Ka 8 vite që kalon nga disfata elektorale në disfatë. Kjo është Partia Demokratike në ditët e sotme. Partia Demokratike humbi zgjedhjet e fundit në të cilat, Edi Rama vodhi, bleu e grabiti 2 herë më shumë vota se ne 2017. Por sërish, duhet t’ja themi vetes të vërtetën në sy, nëse Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet, as PD nuk i fitoi zgjedhjet. S’e them dot atë që nuk është”, u shpreh ai.

Berisha e quajti Bashën ish-kryetar të Partisë Demokratike dhe rrëfeu edhe një sondazh, sipas tij të kryer ditën e zgjedhjeve.

“Ditën e zgjedhjeve në darkë, pollsteri më serioz që kishim, pyet zgjedhësit demokratë, për kë votuat. Vetëm 1 e pesta e atyre thanë për Lulzim Bashën. Vetëm 19 për qind, të tjerët për PD. E kundërta ishte raporti në kampin tjetër”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT