Deputetët pa gjumë, pritet natë “e nxehtë”/ 110 ligjvënës do flasin për “Rama 3”, priten të paktën 16 orë debat

Prej më shumë se dy orësh, në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohen debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës.

Fillimisht Lulzim Basha, e më pas disa deputetë të PD, refuzuan të marrin fjalën pa praninë e kryeministrit Edi Rama. Opozita kërkoi prezencën e kryeministrit gjatë zhvillimit të debatit politik nën argumentin se kjo është seanca më e rëndësishme politike.

Gjithsesi, pas debateve të shumta dhe insistimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla për të mos ndërprerë më seancën, deputetja Jorida Tabaku ndryshoi strategjinë e opozitës dhe mori fjalën në foltore.

Seanca e sotme, që do të finalizohet me miratimin e qeverisë së re dhe të programit për 4 vitet e ardhshme, pritet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit.

Plot 110 deputetë janë në listë për të marrë fjalën, ku në fokus do të jetë programi i qeverisë së re.

Nëse deputetët do të shfrytëzojnë gjithë minutazhin në dispozicion të tyre, i bie që do të flasin të paktën 16 orë.

Dje, PS depozitoi në Kuvend programin e saj politik. Mandati i tretë organikisht nis me objektiva të qarta duke u mbështetur në 5 shtylla kryesore:

-Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia;
-Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.
-Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve;
-Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen;
-Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT