“Pabarazia po vlon”/ Braçe shpërthen në Kuvend: Të taksohen të pasurit

Ish-zv.kryeministri Erjon Braçe foli me tone kritike, ndonëse jo sa Partia Demokratike. Ai kërkoi përmes shifrave që në mandatin e tretë, socialistët të përqëndrohen në luftën kundër pabarazisë sociale, që sipas tij po vlon.
“Jashtë pabarazia vlon. Statistikat e rrogave që paguhen sot tregojnë pabarazi dhe polarizim të thellë. Paga mesatare mujore në tremujorin e dytë të këtij viti ishte: paga mesatare ishte në shtet 56710 lekë, në privat 68 196. Po flas për të ardhurat bazë, ndërsa pabarazia është më e thellë mes tyre dhe pensionistëve”, tha ai.
Sipas Braçes, bizneset e mëdha po fshehin fitimet për t’iu shmangur taksave.
“Të shohësh xhiron, tatimin mbi fitimin e 100 vipave të ekonomisë shqiptare tregon se kemi shumë shumë punë. Kompania më e madhe private në vend për nga xhiro, fshehur pas një emri në anglisht, deklaron fitim 1.1% të xhiros, paguan tatim mbi fitimin 0.2% të xhiros. Kompanitë farmaceutike që u kënaqën me para deklarojnë fitim 4.6 për qind të xhiros dhe tatim fitimi 0.6 për qind të saj”, tha ai.
“Takso të pasurit nuk është urrejtja e Erion Braçes ndaj të pasurve. Është një ekuilibër i ri në sistemin fiskal. Të rrëzohet sistemi i përjashtimeve, favoreve që ka bërë që të pasurit të paguajnë kaq pak. Po kufizohen mundësitë veçanërisht në fshat duke sjellë varfërinë”, tha Braçe.