Pas bukës shtrenjtohet edhe kafja dhe sheqeri/ Vala e rritjes së çmimeve në vend, nga po vjen dhe sa do të vazhdojë

Kafeja është një nga produktet më popullore në vend dhe më të konsumuara, por kohët e fundit, çmimi i saj, sidomos në bare dhe restorante, është rritur ndjeshëm.
Në Tiranë, ditët e fundit, një kafe u shit 10 lekë më shtrenjtë duke pasur parasysh rritjen që u bë pas daljes nga karantina me 10-20 lekë. Në një vit, çmimi i kafesë në baret e Tiranës është rritur nga 15-30 lekë, sipas zonave.
Aktualisht në qendër dhe zonat rreth saj, një filxhan kafe kushtoi 90-120 lekë nga 70-90 lekë para se të fillonte pandemia. Çmimi i kafesë është rritur edhe në njësitë e pakicës ku 100 gramë tani shiten 130-140 lekë, nga 110 lekë para pandemisë.
Para tre muajsh, edhe artikujt bazë të shportës, duke përjashtuar frutat si: 1 litër vaj, 1 bukë 800 gramë, 1 kg oriz, 1 kg sheqer, 100 gramë kafe, 1 shishe ujë 1,5 litra, 10 kokrra vezë, 1 kg patate, 1 kg domate, 1 kg kastravecë kushtonin gjithsej 940 lekë në tregjet e pakicës në Tiranë. Të njëjtët artikuj në ditët e para të shtatorit kushtonin 1170 lekë, ose 24% më shumë. Krahasuar me fillimin e vitit, çmimet në artikujt bazë të shportës u rritën me 30% në tregjet e pakicës.
Rritja me shpejtësi e çmimeve në një spektër të gjerë artikujsh, sidomos tek lëndët e para me ndikim zinxhir në treg (si nafta, metalet dhe gruri) i kanë zënë në befasi, konsumatorët, bizneset dhe politikëbërësit, pas një dekade ku shqetësimet e inflacionit ishin zhdukur.
Pandemia Covid-19, e cila ka goditur zinxhirët e prodhimit, e kombinuar me kërkesën e lartë post-karantinë dhe ndikimet klimatike, i shtrenjtoi çmimet e mallrave kudo në botë në nivelet më të larta të dekadës.
Ndryshimi i çmimeve, i njohur si inflacioni, monitorohet dhe mbahet nën kontroll nga Bankat Qendrore, që e kanë si funksion kryesor ligjor. Ato e zbusin rritjen e çmimeve, duke rritur normat e interesit si një mjet që frenon paranë në qarkullim e për rrjedhojë, kërkesën për mallra.
Në vendin tonë, Banka e Shqipërisë e monitoron inflacionin dhe ka objektiv një rritje të përgjithshme të çmimeve rreth 3% në vit, nivel i cili pritet të arrihet vitin e ardhshëm, sipas një shpjegimi të posaçëm nga Banka për “Monitor”.
Banka shpjegoi se nuk ka mjete për të frenuar një valë çmimesh që vjen nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, por tha se ecuria afatgjatë e inflacionit në vend përcaktohet më së shumti nga dinamika e zhvillimeve të brendshme si kërkesa, përmirësimi gradual i pozicionit ciklik.
Këto trende do të shoqërohen me rritjen e punësimit, pagave dhe kostove të prodhimit, të cilat përcaktojnë dinamikat e inflacionit në afatin e mesëm. “Në të kundërt, inflacioni i importuar është një përbërës i inflacionit total mbi të cilin politika monetare nuk ka ndikim në afat të mesëm dhe luhatjet e të cilit përbëjnë përgjithësisht goditje oferte me ndikim të përkohshëm” – shpjegoi Banka.
Por teksa në aspektin makroekonomik, lëvizjet e çmimeve duken të monitorueshme, në ekonominë reale, sidomos tek 20 përqindëshi i popullsisë me të ardhura të ulëta dhe bizneset importuese, ka krijuar shqetësime. Gati 38% e shqiptarëve, sipas INSTAT, ishin të privuar nga varfëria materiale më 2019, ndaj rrezikojnë të zhyten në varfëri nga çmimet e larta që po ofrohen.
Në afat të shkurtër, qeveria përfiton nga rritja e çmimeve, duke mbledhur më shumë taksa, të cilat ndikojnë në përmirësimin e deficitit fiskal dhe uljen e borxhit. Por në afat të gjatë, çmimet e larta do të sillnin rritjen e normave të interesit, të cilat e ndikojnë negativisht borxhin publik, sidomos në Shqipëri, e cila ka treguesin 76% të PBB-së (deri në fund të 2020-s, sipas Ministrisë së Financave), një nga nivelet më të larta të vendeve në zhvillim.
Vështirësitë në transport që u krijuan nga pandemia dhe rritja e menjëhershme kërkesës për mallra shtrenjtuan kostot e transportit kudo në botë, të cilat u reflektuan edhe te çmimet e mallrave në vend.
Rritja e çmimeve të plastikës, shtrenjton kostot e ambalazheve
Në dy-tre muajt e fundit, çmimet e plastikës në tregjet ndërkombëtare janë rritur me 230%. Kjo ka ndikuar në shtrenjtimin e kostos së prodhimit të paketimeve në tregun vendas.
Mungesa e kontratave
Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare përcillet më shpejt në vende si Shqipëria, pasi importuesit nuk operojnë me kontrata të rregullta furnizimi dhe gjithashtu kanë logjistikë të kufizuar (kapacitete transporti dhe magazinimi) dhe kapacitete të dobëta financiare
Ndryshimet e klimës dhe pandemia i bëjnë parashikimet të mjegullta
Tregjet i rishikuan me rritje kontratat e shitjes së grurit për vitin që vjen për shkak se uragani Ida, që goditi ditët e fundit Nju Jorkun dëmtoi rëndë linjat e eksportit të një prej aktorëve kryesorë të tregtimit të grurit në botë Cargill, duke cenuar rëndë eksportet nga SHBA. Aktualisht 1 ton grurë në bursa po shitet për më shumë se 238 euro, nga 150-160 dollarë një vit më parë në këtë periudhë të vitit.
Thatësira dhe përmbytjet dëmtuan korrjet e sezonit këtë vit në hemisferën veriore, duke i bërë ndryshimet klimatike si një faktor madhor në aspektin ekonomik global. Ndryshimi i klimës dhe përhapja e papritur e pandemisë Covid-19 i kanë bërë parashikimet në tregjet ndërkombëtare të mjegullta.
Importuesit e grurit po përcjellin ngadalë rritjen në tregun e brendshëm
Çmimi i një buke (800 gr – 1 kg) u rrit javën e fundit me 10 lekë, në reflektim të rritjes së çmimit të miellit në tregjet ndërkombëtare. Shitësit në tregjet e pakicës lajmëruan rritje të çmimeve të nënprodukteve të miellit, kryesisht makaronat me rreth 10 lekë për kilogram. Në 10-ditëshin e parë të muajit gusht, çmimi i miellit me pakicë u rrit me 10%, duke arritur në 5500 lekë, nga 5000 që ishte më parë. Brenda vitit, çmimi i miellit në tregun e brendshëm është rritur me rreth 20%.
Operatorët paralajmërojnë se rritja e miellit do të shkojë deri në 20%, për shkak të krizës të prodhimit të grurit në botë. Rritje të lartë këtë vit parashikohet të ketë edhe për çmimin e makaronave si ato të importit dhe të prodhuara në vend, për shkak të shtrenjtimit të fortë të miellit të grurit për prodhimin e tyre.
Çmimet e naftës dhe energjisë në rritje, pritshmëritë të paqarta
Një fuçi naftë po shitet aktualisht në tregun ndërkombëtar me 70 dollarë, por pritshmëritë janë që çmimi për të njëjtën njësi të arrijë në 100 dollarë në vitin 2022.
Në një vit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur me rreth 25%, teksa rritja u përcoll edhe në tregjet vendase, duke arritur në rreth 170 lekë/litër. Që nga fillimi i këtij viti, çmimi naftës është rritur me katër herë në tregun vendas, por gjithësi mbeten ende poshtë niveleve të parakrizës, kur e kaluan 180 lekë.
Shporta e ushqimeve, rritje të menjëhershme
Çmimet e vajit, sheqerit, bulmetit, vezëve u rritën me shpejtësi këtë vit. Rritjen më të lartë në harkun kohor të një viti e pati, çmimi i një litri vaj, i cili është shtrenjtuar me rreth 35%, duke shkuar në 220-230 lekë, nga 157 lekë në shkurt të vitit të kaluar dhe në 190 lekë në janar 2021. Sipas operatorëve kryesorë të tregut, shkak për këtë rritje është bërë mungesa e prodhimit të lulediellit në vendet kryesore prodhuese, si Rusia, Ukraina, Rumania, Bullgaria dhe Moldavia.
Çmimi i hekurit rritet mbi 70%, presion mbi kostot në ndërtim
Një ton hekur kushton aktualisht në tregjet ndërkombëtarë 675 dollarë me një rritje vjetore mbi 70%.
Çmimi i hekurit ka arritur aktualisht në rreth në 700 euro pa TVSH, nga 460 euro në prill të një viti më parë dhe 400 euro një vit më parë.
40% e shqiptarëve në kufirin e varfërisë, nuk e përballojnë rritjen e çmimeve
Rritja e çmimeve për të gjithë artikujt, por sidomos për shportën kryesore të mallrave të konsumit rrezikon të çojë në varfëri gati 37% të popullsisë në vendin tonë. Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare tregoi se në vitin 2019, mbi 37% e individëve në Shqipëri nuk e përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit. Gjithashtu treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2019 është 23,0%.
Sipas INSTAT, në vitin 2019 janë vlerësuar rreth 659.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër. Por me fillimin e pandemisë, gjendja financiare e këtij grupi është përkeqësuar më tej, për shkak të mbylljes së vendeve të punës, sidomos në shkallën e ulët të produktivitetit. Analizat kudo në botë kanë treguar se shtresat e varfra patën kosto më të larta nga pandemia. Rritja e çmimeve do të përkeqësojë situatën financiare më tej në këtë shtresë. Marre me shkurtime nga monitor