Burg ish-kryeprokurorit/ Çfarë paralajmëron VOA: Ky është ndëshkimi i parë i personave non grata

Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke dënuar me 2 vite burgim ish Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, zotin Llalla, pasi e gjeti atë fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestro, përkatësisht 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
As në seancën e sotme zoti Llalla nuk ishte i pranishëm, ndërsa avokati i tij, ish kryeprokurori gjendet në regjim spitalor. Avokati tha se vendimi ishte i padrejtë dhe se do të ankimohej në Gjykatën e Lartë.
Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
Zoti Llalla është i pari ish zyrtar i lartë nga Shqipëria, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit mori në vitin 2018 vendimin për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Në këtë listë u përfshinë ish deputeti Tom Doshi, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit Vanghush Dako e së fundi dhe ish kryeministri Sali Berisha./VOA