Vaksinim i detyruar edhe për deputetët, të pavaksinuarit nuk do shkelin në Kuvend

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që deputetët e pavaksinuar nuk do të lejohen të futen në parlament.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla në Kuvend, gjatë kohës që pati një përplasje me deputetët e PD, të cilët kundërshtojnë që mbledhjet e Komisioneve parlamentare të zhvillohen online.

“Kemi rënë dakord në mënyrë unanime që Kuvendi të vendosë një afat brenda të cilit nuk do të vijë më në Kuvend asnjë deputet i pavaksinuar. Ky do të jetë një mesazh i fortë i dhënë publikut. Kjo ka qenë dakordësi e të gjithëve”, tha Taulant Balla.

Debati për komisionet

PD kundërshtoi vendimin e shumicës për të zhvilluar online mbledhjet e komisioneve parlamentare. Në Konferencën e Kryetarëve dhe në seancën plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Alfred Rushaj sqaroi se vendimi është kundër Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Ai tha se vendimi duhet të shfuqizohet, pasi synon të asgjesojë parlamentarizmin. Rregullorja përcakton rastet kur komisionet mund të nblidhen në distancë, çka e përjashton situatën aktuale. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj, iu referua nenit a/5^ se kufizimet vendosen në rast të masave të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së luftës.

PD propozoi që deputetët të vaksinohen dhe gjendja t’i kthehet normalitetit, si dhe komisionet të zhvillohen në orare të ndryshme për të patur më shumë hapësirë./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT