PS nis përgatitjen për zgjedhjet lokale, a do të jenë ato të parakohshme?

Partia Socialiste i ka ndezur përpara kohe motorët për përgatitjen e betejës së radhës elektorale, ato të 61 bashkive. Sipas rregullit ligjor e kushtetues, zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të zhvillohen në 2023, pra pas dy vitesh, por Partia Socialiste ka nisur që tani organizimin e tyre.
Në çdo takim që sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri po zhvillon me degët e partisë në pushtet, veç prezantimit të drejtuesve politik të qarqeve, ka edhe një porosi të veçantë: Përgatitjet e strukturave socialiste për zgjedhjet lokale.
“Bashkë me kolegët e mi, Evisin, Gledin dhe kolegë të tjerë deputetë, kemi filluar një proces analize me elektoratin për të gjithë punën e bërë, me qëllim që të nxjerrim më të mirën e mundshme të asaj që u arrit. Elbasani ka rezultate shumë të mira elektorale. Ne kemi filluar që tani përgatitjet për zgjedhjet vendore”, tha Gjiknuri në postimin në rrjetet sociale.
Përse kjo “ngutje” e Partisë Socialiste për ngritur që tani shtabet elektorale? Kjo mund të lidhet me disa arsye, rrugë që mund të çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme lokale. E para lidhet me faktin se në paktën 6 bashki nuk kanë kryetar, drejtohen me nënkryetarë.
Shkodra, Durrësi, Vora, Dibra, Lushnja dhe Rrogozhina janë bashkitë ku kryetarët e zgjedhur me votë kanë dhënë dorëheqjen, ose i ka prekur ligji i dekriminalizimit apo janë në hetim. Pra nga 61 bashki, 10% e tyre nuk kanë një drejtues. Normalisht presidenti duhej të kishte nxjerrë një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të pjesshme, por konflikti për zgjedhjet lokale, ku opozita nuk mori pjesë, e ku më pas presidenti i anuloi me një dekret të dytë datën e tyre, kanë sjellë një situatë absurdi.
Kjo mund të jetë edhe arsyeja e afrimit të datës së zgjedhjeve në rang vendi për pushtetin vendore. Vendim që mund të merret nisur nga fakti se opozita nuk mori pjesë në këtë betejë elektorale.
Arsyeja e dytë, vendimi i Kushtetueses
Zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 u bojkotuan nga PD dhe LSI. Në shumë prej bashkive nuk pati rivalë, pati votim vetëm për një kandidat dhe ai i PS-së, ky ishte rasti i Shkodrës, dhe jo i vetëm.
Pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, rezultati u godit në Gjykatën Kushtetuese. Voltana Ademi, kryetare e shoqatës së Bashkive, një përfaqësuese e PD-së depozitoi ankesën në Kushtetuese, duke kërkuar pavlefshmërinë e tyre. Gjykata nga ana e saj pritet të shpallë vendimin brenda shtatorit apo dhe tetorit, nëse zgjedhjet do të cilësohen si të vlefshme apo do të kërkohet anulimi i plotë apo i pjesshëm i tyre.
Fakti që PS-ja po organizohet që tani për zgjedhjet lokale, mund të shihet si një indikacion, që ajo të mos gjendet e papërgatitur përballë çdo të papriture apo shije të hidhur që mund të lërë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo gjykatë i rrëzon zgjedhjet, atëherë detyrimisht kemi zgjedhje të parakohshme lokale.
Arsyeja e tretë, reforma territoriale
Pas futjes në shinat institucionale të opozitës, PD-së në Parlament, shtatori ka nisur vrullshëm duke dhënë sinjale për ndryshime rrënjësore si në Kushtetutë dhe në ligjet organike. Në plan të parë ka dalë reforma territoriale dhe ajo drejtësisë. PD kërkon ndryshimin e numrit të bashkive dhe një riorganizim të ri.
PS-ja nga ana e saj e ka dhënë sinjalin se është e gatshme të ulet në tryezë dhe diskutojë. Këto ndryshimet kanë marrë edhe bekimin e parë të ndërkombëtarëve, nëpërmjet deklaratës së Yuri Kim, që e mbështet një nismë të tillë. Nga kampi tjetër, Basha ka urdhëruar deputetët e strukturat e PD-së që të ngrenë grupe pune për reformën territoriale. Oerd Bylykbashi një nga negociatorët disavjeçarë me socialistët për reformat ka dalë me tezën se paralelisht me reformën territoriale duhet realizuar edhe ajo e Kodit Zgjedhor.
“Reforma e sistemit zgjedhor për të ndryshuar sistemin e njëanshëm dhe antikushtetues të 30 korrikut 2020 duhet të jetë reforma “maestra”, e para mes të tjerave në prioritet. Pas saj, për nga rëndësia, vjen reforma territoriale, por pas saj. Njëkohshëm me territorialen duhet bërë reforma zgjedhore. Nëse ka gjë tjetër, duhet të mbajë radhën si prioritet politik. Sigurisht mund të bëhen në të njëjtën kohë që të shmangen lojërat. Ama janee të gjitha të mëdha, kërkojnë vendime strategjike, konsultime, ekspertizë e mbi të gjitha, konsensus. Nuk hidhen reformat në treg shpejt e shpejt për konsum të momentit politik, sepse përfundojnë në dizastër me pasoja afatgjata”, shkruan Bylykbashi në një status në rrjetet sociale.
Loja është hapur dhe tre opsionet që mund të zbatohen çojnë drejt një rruge, zgjedhjet e parakohshme lokale. Kjo mund të realizohet me ose pa Metën si president, i cili edhe ai pret fatin nga Gjykata Kushtetuese, nëse shkarkimi i tij nga Parlamenti është i drejtë ose.
Nëse ikën dhe Meta, atëherë hapet rruga e ndryshimeve të mëdha, jo vetëm kushtetuese, por edhe i zgjedhjeve lokale dhe atij të presidentit të ri të vendit, që mund të çojë drejt një pakti të madh PD-PS./ Gazeta Shqip