Projektligji/ Gjyqtarët e prokurorët e larguar nga vettingut do të hetohen për pastrim parash

Qeveria synon që të përfshijë si subjekte të ligjit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmt edhe gjyqtarët dhe prokurorët që janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë nga vettingut deri në pesë vite pas largimit.

Akti që ndryshon legjislacionin në fuqi është gati dhe pritet që të kalojë fillimisht në Komisionin e Ligjeve dhe më pas për miratim në seancë plenare.

Projektligji i qeverisë ndryshon disa nene të ligji aktual kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, por më interesant është propozimi për ndryshimin e nenit 2 të pjesës që flet për personat që janë subjekt i këtij ligji, apo sipas termave të përdorur në këtë ligj “persona të ekspozuar politikisht”.

“Individët, të cilët kanë, apo kanë pasur funksione të rëndësishme si brenda vendit, apo jashtë vendit, në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, të tillë si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, ministra, zëvendësministra ose pozicione të ngjashme me to, anëtarë të Kuvendit ose organeve legjislative të ngjashme, politikanë të lartë, anëtarë të organeve drejtuese të partive politike, gjyqtarët e gjykatave të larta ose kushtetuese si dhe çdo gjyqtar i një gjykate, ndaj vendimeve të së cilës nuk mund të ushtrohen mjetet e zakonshme të ankimit, anëtarët e organeve drejtuese të bankave qendrore, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë si dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura, drejtuesit e lartë dhe/ose anëtarët e organeve drejtuese të shoqërive shtetërore….”, thuhet në propozimin e Qeverisë.

Aktualisht, ligji ka një gamë më të ngushtë të këtyre personave dhe në kategorinë e punonjësve të drejtësisë nuk përfshin të larguarit nga sistemit, por vetëm kategorinë e atyre personave që kanë pasur një funksion jashtë vendit.

“Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike, përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi”, thotë ligji aktual.

Ligi aktual lë shteg për shmangie në përcaktimin e personave të afërm të subjetit. Edhe për këtë pjesë, në projektligj propozohen ndryshime me synim qartësimin e tyre. Sipas këtij projektligji, persona të afërt konsiderohen:

a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht;
b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set;
c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.

Persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personit të ekspozuar politikisht për qëllime të këtij ligji janë:

a) individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë apo organizime ligjore apo çfarëdo marrëdhënie tjetër të ngushtë biznesi me një person të ekspozuar politikisht;
b) personat të cilët janë pronarët përfitues të vetëm një personi juridik apo organizimi ligjor, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de-facto të personit të ekspozuar politikisht. ”.

©Copyright Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT