Një polic që vret një qytetar dhe një qytetar që vret një polic/ Shqipëria e dy “ekstremeve”

Dy ngjarje të kobshme tronditën vendin brenda një harku kohor më pak se 1 vit, ku protagoniste ishte Policia e Shtetit.
Në njërin rast, një oficer policie që qëllon një të ri të pafajshëm, dhe 10 muaj më vonë, një trafikant droge që i merr jetën një oficeri policie në krye të detyrës.
8 dhjetor 2020. Rreth orës 01:45, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, një patrullë policie përpiqet të ndalojë një të ri 25 vjeçar, pasi po kryente veprime të dyshimta si dhe kishte shkelur Aktin Normativ për ndalimin e lëvizjes pas orës 22:00 për shkak të pandemisë së COVID-19.
I riu, Klodian Rasha, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua me vrap. Polcia u vu në ndjekje të tij dhe më pas në një moment oficeri i policisë Nevaldo Hajdaraj e qëlloi të riun me dy plumba, një në shpatull dhe një në kokë, duke e plagosur rëndë. Klodiani më pas ndërroi jetë në spital.
Sipas oficerit të policisë, Klodiani i drejtoi policisë një send të fortë, në dukje armë dhe në mungesë të ndriçimit të mjaftueshëm, ai e qëlloi. Disa orë më vonë, rreth 100 m larg vendit të ngjarjes, policia gjeti një armë, për të cilën dyshoi se i përkiste viktimës.
Pamjet filmike më pas zbuluan që për asnjë moment Klodian Rasha nuk i kishte drejtuar asgjë efektivit Hajdaraj dhe as nuk ishte konfrontuar fizikisht me të. Pra, kështu u largua nga jeta një qytetar i pafajshëm, vetëm për shkak të thyerjes së orarit policor.
28 shtator 2021. Pas një informacioni të marrë, policia e Lezhës u nis dje për operacion në një parcelë kanabisi. Nënkomisari Saimir Hoxha bashkë me dy pjesëtarë të patrullës kundër kultivimit të kanabisit shkoi menjëherë në vendngjarje.
Gjatë operacionit ata asgjesuan mbi 100 rrënjë kanabisi dhe më pas pikasin një automjet, brenda së cilit ndodheshin tre persona.Pasi ndaluan mjetin, policia i kërkon dokumentet shoferit dhe më pas zbresin edhe pasagjerin.
Ndërkohë, vrasësi i Hoxhës, Aldi Rama refuzon të zbresë nga automjeti. “S’ke shance të më kontrollosh ti mua,” mësohet t’i ketë thënë Rama nënkomisarit para se të nxirrte armën dhe ta qëllonte për vdekje.
Nënkomisari Saimir Hoxha kështu humbi jetën në krye të detyrës gjatë misionit të tij për luftën kundër krimit. Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët./Gazeta Shqip