Basha dhe Hoxha! “Dëshmorët e Atdheut” që u vranë pse luftuan hashashin

Dita e djeshme ishte një ditë zie për Shqipërrinë, pasi  një polic u vra nga dora kriminale pse bëri detyrën e tij.  Saimir Hoxha ishte së bashku me 2 punonjës të tjerë policisë në operacionin anti kanabis, ku asgjësuan 62 bimë narkotike. Punonjësit e Policisë kanë qenë me veshje civile dhe njëri prej tyre ishte me jelek fosforeshent me mbishkrimin Policia.

Gjatë kthimit, në një distancë rreth 500 metra nga miniparcela ku u asgjësuan bimët narkotike, grupi i kontrollit është shkëmbyer me automjetin tip “Volkswagen” me targa AA984TL, në vendin e quajtur Vain, Ishull Lezhë.

Ky automjet, pasi është shkëmbyer me automjetin që lëviznin punonjësit e policisë, pas disa minutash është kthyer dhe ka lëvizur në drejtim të qytetit të Lezhës, mbrapa automjetit të punonjësve të Policisë.

Në momentin që nënkomisar Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasit që ndodhej në sediljen e pasme të automjet, ai është shprehur se “Unë nuk jam për tu kontrolluar…”, dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT dhe e ka qëlluar me dy plumba oficerin e Policisë, duke e plagosur rëndë atë. Gjatë transportit për në spital, oficeri i Policisë ka gjetur vdekjen.

Ky ishte dhe fundi për jetën e oficerit Saimir Hoxha sot i shndërruar në Dëshmor i atdheut dhe një “yll” në memorialin tek ministria e Brendshme.

Një ngjarje e cila tronditi Shqipërinë një polic i cili la jetim dy fëmijët e tij të mitur vetëm me nënën e tyre dhe me gjyshërit.

Por ky nuk ka qenë rasti i vetëm kur një polic ka rënë në krye të detyrës pasi kanë luftuar kultivimin e hashashit. Të gjithëve na kujtohet viti 2015 kur policia mësyn në Lazarat për të shkatërruar hashashin në një fshat tek i cili policia nuk hynte anjëherë.

Kujtojmë se Ibrahim Basha u vra mëngjesin e 24 Qershorit 2015. Një natë para vrasjes pati të shtëna me armë në Lazarat. Pas kërkesës për ndihmë nga policia lokale, në orët e mëngjesit dy autoblinda të forcave RENEA janë nisur nga Tirana dhe kanë mbërritur në hyrje të fshatit.

Dy blindat ndiqeshin nga një furgon me efektivë të RENEA-s. Në furgon ndodheshin gjashtë efektivë. Në sediljen e parë të pasagjerit ka qenë Ibrahim Basha. Drejt mjetit është hapur zjarr nga një distancë mendohet më shumë se 20 metra me armë snajper.

Plumbi ka kapur efektivin Ibrahim Basha në ballë, në lartësinë e vetullave. I njëjti plumb tejshpues ka goditur në shpatull edhe efektivin Jetmir Isai dhe ka prekur tangjent kokën e Perlat Hamitit.

Kultivimi i hashashit po i sjell vetëm të” mira” vendit tonë, vrasje efektivesh, drogimi i të rinjve, dhunë në familje etj. Çfarë të duam më më tepër dhe ata që e kontrollojnë policinë janë aty në kolltukun e tyre të ngrohtë dhe nuk pyesin çfarë po ndodh.

Dy ditë më parë Shqipëria humbi djalin e saj, fëmijët humbën babain e tyre, gruaja humbi burrin e saj, policët humbën kolegun e tyre. Tani pyetja që duhet të ngelet pa përgjigje “është kush e ka radhën?”./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT