Kush ia RRITI ÇMIMIN E BUKËS shqiptarëve: Nga ish-kryebashkiaku DEMOKRAT i akuzuar për blerje votash me miell, te firma e kallëzuar për mashtrim me cilësinë (EMRAT-DOKUMENTET)

Autoriteti i Konkurrencës ka nxjerrë fajtore për rritjen e çmimit të bukës pesë kompani të importit të miellit, e megjithatë ka vendosur të mos i ndëshkojë me gjobë.

Sipas Autoritetit, arsyeja e rritjes së çmimeve vjen për shkak të sjelljes së bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Bloja SHA, Miell Tirana SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK.

Por kush janë pronarët e kompanive që kanë bashkërenduar veprimet duke caktuar çmimin e shitjes, dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal?

Një pjesë e tyre nuk janë të panjohur për publikun.

Administratori i Agro Blend SHPK është Fiqiri Ismalili, ish-kryebashkiaku për katër mandate i Partisë Demokratike në Vorë, i cili ka qenë edhe nën hetim me akuzën e blerjes së votave. Kundërshtarët politikë e kanë akuzuar Ismailin për blerje votash përmes shpërndarjes së thasëve me miell.

Bashkëpronarë në këtë kompani është edhe Hava Ismaili, dhe biznesmeni Luan Beta.

MIELL TIRANA është një tjetër kompani aksionare, e akuzuar si pjesëmarrëse “në kartelin” e rritjes së çmimit të miellit. Kjo kompani ka administrator Enea Hysa, dhe një numër të madh anëtarësh bordi e aksionarësh, ndër ta Viktor Nushi, Olta Ibrahimi, Tatjana Polo.

ATLAS MILLS dhe ATLAS SHA, janë dy kompanitë e tjera. Atlas Mills administrohet nga Dervish Domi dhe një tjetër kompani BESNIKU shpk. Ajo që bie në sy është se kompania “BESNIKU Sh.P.K” është me administrator Besnik Myftari. Kompania e Besnik Myftarit rezulton i kallëzuar nga AKU në vitin 2018 për deklarim të shifrave të gabuara të nivelit të proteinave në miell.

BLOJA është firma tjetër me administratorë biznesmenin e njohur Fuad Haxhiymeri dhe anëtarë Agron Haxhiymeri, Edlira Haxhiymeri, Silvana Hakcani dhe Lefteri Kushta si dhe me një numër të madh aksionerësh.

E megjithëse AK thotë që zbuloi shkelje të ligjit të konkurrencës, tre anëtarë votuan KUNDËR gjobitjes së këtyre kompanive që shkaktuan rritjen e çmimit të bukës. Ata janë Leida Matja, Adriana Berberi dhe Denar Biba./Newsbomb.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT