“Jam gati të marr kallashin”! Doli në takimin e Berishës, policia shoqëron Ilir Hamedanin

Policia e Durrësit ka shoqëruar Ilir Hamedanin, i cili në takimin e Sali Berishës në Durrës tha se kishte thyer masën e arrestit të shtëpisë, dhe paralajmëroi që ishte gati të merrte kallashin për rrëzimin e qeverisë, dhe rikthimin në vend të demokracisë. Në një intervistë për gazetaren e Fax News Kloida Gjuzi, Hamedani ka rrëfyer dhe atë që ka ndodhur, dhe sulmet që ka marrë nga mediat dhe rrjetet sociale.
“Jam disa herë i sulmuar nga rrjetet sociale, por është hedhur baltë në një portal që mua më vjen vështirë që ti përmend emrin, që drejtohet nga zoti Peza. Është diçka ofenduese për mua dhe familjen time. Ata më akuzonin mua për vjedhje, akuza e dytë është ajo e kundërshtimit të forcave të rendit, që nuk është e vërtetë”, tha Hamedani.
Ai tregon se menjëherë pas takimit të Berishës, ai ka shkuar në shtëpinë e tij ku kanë mbërritur dhe forcat e policisë, që kanë bërë shoqërimin për në komisariat. Hamedani thotë se është mbajtur 13 orë në polici, dhe është verifikuar se masa e tij e arrestit të shtëpisë ishte shuar që prej muajit shkurt të këtij viti, dhe vetë ai nuk ishte njoftuar.