Deeuroizimi, BSh ka blerë këtë vit 57 mln euro

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë dhjetë herë në tregun valutor për të blerë monedhën euro, në kuadër të politikave të deeuroizimit.
Ndërhyrja e fundit është bërë më datë 20 gusht në një ankand me 4 deri në 6 milionë euro. Këto politika, sipas BSH, janë në përputhje me vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare, të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky vendim synon të adresojë problematikën e sasisë së tepruar të monedhës së huaj Euro në treg, çka mund të çrregullonte kursin e këmbimit valutor. Sipas këtij vendimi, Bankës së Shqipërisë i rekomandohet që të blejë 60 deri në 120 milionë euro përgjatë këtij viti kalendarik.
BSH thotë se në 3-mujorin e dytë të vitit 2021, janë zhvilluar 4 ankande, në të cilat janë blerë 40.70 mln Euro, duke e çuar shumën totale të blerjeve në vitin 2021 në 56.80 mln, si politika për “shmangien e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor dhe përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomikë.
Deri në fund të këtij viti, BSh parashikon që të organizojë edhe katër ankande të tjera, nga një në tetor dhe nëntor dhe dy në muajin dhjetor me vlera nga 4 deri në 6 milionë euro. Në rast të suksesit të këtyre ankandeve, objektivi minimal për blerjen e të paktën 60 mln eurove do të realizohej.