“Rama e thirri në zyrë Veliun”/ Prençi zbulon kush do të jetë drejtori i ri i Policisë së Shtetit

Shemsi Prençi duke e cilësuar si të vonuar largimin e Ardi Veliut nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, tha në emisionin “Breaking” në Top News se ai ultimatumi prej 100 ditësh i dhënë nga Rama në muajin korrik nuk kishte për ministrin Çuçi, por pikërisht për kreun e policisë së shtetit.
Ai u shpreh se policia e shtetit ka rezultatet më të këqija gjatë drejtimit të Veliut, pasi janë emëruar njerëz jo sipas hierarkisë së gradave sipas ligjit si drejtues të drejtorive të policive në rrethe.
Por Prençi zbuloi se largimi i Veliut ishte vendosur dy javë më parë. Gazeta “Shqip” mëson se Ardi Veliu ka pasur një takim në kryeministri, me shefin e qeverisë Edi Rama. Takimi është zhvilluar sot paradreke. Nuk dihet nëse i është komunikuar ose jo shkarkimi i Veliut apo i është kërkuar dorëheqja, por mësohet se pas këtij takimi, Rama ka udhëtuar drejt Sllovenisë për të marrë pjesë në samitin e BE.
Prençi në lidhje me emërimin në krye të Policisë së Shtetit dha dy emra një drejtori i Antiterrorit dhe tjetri mund të jetë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë. Këtu bëhet fjalë për Gledis Nanon, drejtori aktual i Antiterrorit si kandidaturë e mundshme.
Ai ka qenë në operacionet e shumta në riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e Ferrit në Al Hol dhe është shfaqur në krah të Ramës. Nano aktualisht ka drejtuar që prej 17 shkurtit të vitit 2016, Drejtorinë e Antiterrorit, pas 17 viteve eksperiencë në Policinë e Shtetit. Ai gjithashtu ak qenë në krye të disa operacioneve me rëndësi si dëbimi i diplomatëve iranianë nga Shqipëria dhe dosja e “Imamëve”.
Ndërsa një emër tjetër që u përmend nga Prençci është Albert Dervishaj, zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si kandidaturë e mundshme për të zëvendësuar Veliun./ Gazeta Shqip