Ish-ambasadori amerikan ngre alarmin: “Kam frikë” nga konfliktet e reja në Ballkan, nuk besoj te ndihma e BE-së

Ish -ambasadori amerikan në Kroaci dhe Serbi William Dale Montgomery ka deklaruar se “ka frikë” nga konfliktet e reja në Ballkan, duke pasur parasysh se asnjë nga problemet në vendet e rajonit nuk është zgjidhur ende. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për televizionin kroat (HRT).
“Unë mendoj se në vitet ’90, ky vend (Kroacia) ishte vendi kryesor në botë në të cilin u përqëndruan udhëheqësit tanë. Sot, nuk është kështu dhe nuk besoj se ato vende mund t’i zgjidhin çështjet që i shqetësojnë. Ndjenjat nga të gjitha anët janë aq të pashpresa sa nuk shoh zgjidhje”, theksoi Montgomery.
Ai beson që Bashkimi Evropian nuk ofron ndihmë dhe mbështetje për të gjithë rajonin e Ballkanit.
“Unë mendoj se njerëzit këtu janë disi prapa në pikëpamjen e tyre për vendet e tjera evropiane. Ne nuk duhet të harrojmë se Gjermania dhe Franca ishin në luftë me shekuj dhe u ndalën vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të ndodhë edhe me këtë rajon. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është se kjo do të kërkojë kryesisht ndihmën e Bashkimit Evropian, sepse ky rajon nuk mund të ketë sukses i vetëm. Ai ka nevojë për mbështetjen e plotë të Perëndimit, Shteteve të Bashkuara dhe BE-së që këto ndryshime të ndodhin në kohë”, u shpreh Montgomery.