Kokaina në banane nga Ekuadori në Durrës/ Rrengu që përdornin trafikantët për mos t’u kuptuar
Ditën e djeshme në portin e Durrësit, u kap një ngarkesë tjetër me drogë nga e njëjta kompani, në kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me policinë e shtetit pas marrjes së informacionit se në kontenierë dyshohej se kishte kokainë.
Porositë për kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit” janë dhënë përpara kapjes së sasisë së parë, pasi pas mbushjes me banane në Ekuador rruga zgjat 3 javë deri më 3 muaj e gjysmë derisa të mbërrijë në destinacion.
Trafikimi i kokainës nga Ekuadori drejt vendit tonë në sasi të vogla, duket se ka qenë një nga metodat për të bërë të mundur nxjerrjen e lëndës narkotike nga Porti i Durrësit, pa u vënë re nga autoritetet.
Dyshohet se pas këtij trafiku fshihet një grup kriminal. Nga 13 korriku e deri më sot në kontenierët e kompanisë “Alba exotic Fruits” kokaina është kapur në 5 raste, ku në total janë sekuestruar rreth 44 kg kokainë.