VIDEO/ Broja shënon dhe largohet i dëmtuar, mund të humbasë Anglinë

Goli i shënuar nga Armando Broja në minutën e 53-të të takimit i dha tri pikë të rëndësishme skuadrës së Southampton në sfidën përballë Leeds United.
Ky ishte goli i parë në Premier League për Brojën, që e nisi takimin që nga minuta e parë. Por, kostoja e golit të shënuar ishte mjaft e rëndë për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, që në minutën e 81 la fushën i dëmtuar.
Broja shënoi pas një kundërsulmi perfekt të vendasve, kur Redmond i dha asistin brenda zonës. Në momentin që sulmuesi kuqezi goditi topin për në rrjetë, njëri prej mbrojtësve të Leeds shtrihet për të bllokuar gjuajtjen.
Ai nuk kap topin, por pati një kontakt me këmbën e majtë të Armando Brojës. Pas këtij momenti, Broja ndjeu dhimbje të vazhdueshme gjatë lojës, deri kur kërkoi zëvendësim.
Mbetet për t’u përcaktuar diagnoza e dëmtimit dhe koha që do ta mbajë larg fushave, ndërkohë që në 12 dhe 15 nëntor Shqipëria ka dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve të Botërorit përballë Anglisë në Londër dhe më pas në Tiranë ndaj Andorrës.