Oliver Varhelyi kërkon hapjen e negociatave, por s’jep datë për konferencën ndërqeveritare

Bruksel – Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka prezantuar sot rezultatet e progres-raportit të KE për vendet e Ballkanit. Varhelyi tha se shtyrja e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar impakt negativ, ndërsa shtoi se dy vendet meritojnë nisjen e bisedimeve.
Sipas tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rezultate te prekshme në reforma, si dhe në luftën kundër krimit.
Gjithsesi, pavarësisht vlerësimit pozitiv për Tiranën dhe Shkupin, në raport nuk ka një datë konkrete për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Shkak sipas Oliver Varhelyi është qendrimi bllokues i Bullgarisë.
“Shtyrja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar impakt negativ. Duhet zgjidhur problemi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Të dyja vendet kanë përmbushur kushtet. Është e rëndësishme që këtë ta kuptojnë edhe vendet e BE. Është thelbësore që Shtetet Anëtare të BE-së të përfundojnë diskutimet mbi Kornizat Negociuese pa vonesa të mëtejshme dhe që konferencat e para ndërqeveritare me të dy vendet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur dhe para fundit të këtij viti. Kjo është shumë e rëndësishme për të ruajtur besueshmërinë e Bashkimit Evropian”, tha Varheleyi.
Oliver Varhelyi deklaroi gjithashtu se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave.
“Zgjedhjet janë organizuar në përgjithësi mirë. Janë arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Liderët politikë duhet të japin mbështetjen e tyre për dialogun në reformën në gjyqësor dhe në zbatimin e ligjit. Kosova ka qeverinë e saj të re që u përcaktua në zgjedhjet e shkurtit. Është me rëndësi që të shënojë progres në luftën kundër korrupsionit. Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. BE ka mundësuar dialog mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai./Gazeta SHQIP