Vettingu i politikës, Basha: Gjeneza e të gjitha problemeve për shqiptarët

Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me deputetët e Komisionit të Ligjeve, për t’u folur në lidhje me domosdoshmërinë, sipas tij, të tre nismave të opozitës për vettingun në politikë, reformën zgjedhore dhe atë territoriale.
Burime të Gazetës Shqip thonë se në këtë takim Basha u tha deputetëve të opozitës në Komisionin e Ligeve se lidhja e politikanëve me krimin është sot gjeneza e të gjitha problemeve që kanë shqiptarët, që nga çmimet, punësimi, arsimi, shëndetësia e biznesi.
Sipas Bashës, beteja për vettingun në politikë nuk bëhet për Partinë Demokratike, por për shqiptarët.
“Që të kenë mundësi të zgjedhin dhe mundësi për të zgjedhur kandidatët që nuk kanë lidhje me krimin, kandidatë që nuk kanë lidhje me korrupsionin”, citohet Basha.
Burimet thonë se së bashku me vettingun, Basha këmbëngul që paralelisht të ecet edhe me propozimet për reformën zgjedhore dhe për atë territoriale.
“Nga ecja përpara e këtyre iniciativave përfitojnë qytetarët, si në rastin e zgjedhores dhe asaj territoriale, ashtu edhe në rastin e vettingut në politikë, jo një parti apo një tjetër, por çdo qytetar që kërkon ndryshim, që kërkon përfaqësim, që kërkon një politikë të pastër, larg ndikimit të krimit dhe korrupsionit”, është shprehur Basha.
Partia Demokratike pritet që të dorëzojë në Kuvend ditën e mërkurë paketën e ndryshimeve kushtetuese, ku propozohet vetting për politikanët, të ngjashëm me vettingun në drejtësi, rikthimin e koalicioneve sa i përket reformës zgjedhore dhe rikthimin e konceptit të komunave sa i takon reformës administrative e territoriale.