SHIFRAT: Sa kushtojnë satelitët dhe mirëmbajtja vjetore, cila është jetëgjatësia e tyre. Sa do i kushtojë kjo Shqipërisë me qindra probleme më emergjente, ku do gjenden paratë

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria do dërgojë satelitë në hapësirë. Megjithëse me territor fare të vogël, dhe me shumë institucione kontrolli që paguhen nga buxheti, kreu i qeverisë shpalli se duhen edhe satelitë për të kontrolluar territorin.

Deklarata shkaktoi të qeshura në Kuvend, por Rama sot ka nxjerrë një bisedë me një një person të “Space X” në lidhje me planin e lëshimit të satelitëve.

Po sa do i kushtojë kjo Shqipërisë së varfër që ka qindra probleme më emergjente dhe ku do gjenden paratë. Këto “detaje” mungojnë në deklaratat e kryeministrit.

Në shkurt të këtij viti, teksa e gjithë bota përballej me pandeminë e koronavirusit, presidenti Recep Tajip Erdogan lancoi planin dhe ambicjet e tij për programin hapësinor. Ai bëri me dije se Turksat, operatori satelitor shtetëror i Turqisë, nënshkroi më 9 nëntor një kontratë me Airbus Defense and Space për dy satelitë komunikimi të gjeneratës së re, Turksat 5A dhe Turksat 5B.
Zyrtarët thonë se kontrata për ndërtimin dhe lëshimin e satelitëve do të jetë me vlerë rreth 500 milionë dollar, ndërsa sateliti lokal, 6B, do t’i kushtojë Turqisë 545 milion lira (141 milion dollarë amerikanë). Pra ëndrrat kushtojnë.

Sipas të dhënave në internet, një satelit “tipik” ka një çmim prej 290 milion dollarësh; një satelit spiun mund të kushtojë 100 milionë dollarë shtesë, pra kostoja varion nga madhësia, qëllimi dhe versioni i satelitit.

Ndërkohë satelitët e vegjël kushtojnë rreth 1 mln dollarë dhe nga këta nisen me shumicë, por sigurisht që janë të papërfillshëm në funksione krahasuar me të tjerët.

Sateliti ka edhe shpenzime të mirëmbajtjes dhe riparimit. Për jetëgjatësinë e tyre, që zakonisht është deri në 15 vite, duhet të mirëmbahen gjithë kohës. Po ashtu përdoruesit duhet të paguajnë për gjerësinë e brezit satelitor ashtu si pronarët e celularëve duhet të paguajnë për të transmetuar zërin dhe të dhënat. Këto kosto mund të arrijnë në 1.5 milion dollarë në vit, ndërsa veç nisja e një sateliti të vetëm në hapësirë mund të kushtojë diku midis 10 milion dhe 400 milion dollarë, në varësi të mjetit të përdorur.

Kush do i paguajë dhe a do të dalin këto para nga buxheti i shtetit?/DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT