E FUNDIT/ Helmim masiv në Krujë, mbi 100 qytetarë përfundojnë në spital me të vjella dhe dhimbje barku

KRUJË- Një situatë e pazakontë po ndodh në Krujë, ku dyshohet se kemi të bëjmë me helmim masiv. Sipas raportimeve, mbi 100 qytetarë i janë drejtuar spitalit të qytetit me shqetësime të ndryshme; kryesisht, diarre, të vjella, dhimbje barku si edhe temperaturë.
Të sëmurët janë të moshave të ndryshme duke filluar nga fëmijët e deri te të moshuarit, të cilët prej më shumë se 24 orësh kërkojnë mjekim.
Duhet theksuar se qytetarët janë banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit, gjë kjo që rrit ndjeshëm dyshimet se ata mund të jenë helmuar nga uji i rrjetit, i cili në Krujë konsumohet masivisht.
Sipas mjekëve kemi të bejmë me intoksikim alimentar, por origjina e tij mbetet për t’u verifikuar.
Nga ana e personelit të shëndetit publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit, për të parë nëse helmimi erdhi nga uji.