Negociatat “me Afrikën” shkaktojnë debat/ Spiropali-Bashës: I ke shpëtuar drejtësisë, sado në hall të jesh…
Ministrja e Shtetit dhe Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali ka hedhur akuza të rënda ndaj kryedemokratit Lulzim Basha duke thënë se i ka shpëtuar drejtësisë.
Spiropali ka theksuar se në asnjë vend të botës një kryetar opozite nuk del me të madhe dhe mohon arritjet e vendit.
“Nuk e di ku e keni gjetur këtë foto. Nuk shikoni traun përballë syve tuaj. Kemi raportin që e thotë shqip që Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet. Edhe atdheu juaj i dytë Holanda ka votuar pro konferencës së parë ndërqeveritare. I ka thënë po, kundër çfarë thatë ju që Shqipëria nuk është gati. Që nga viti 2013 e deri më sot Shqipëria ka vijuar të përmbushë të gjitha kushtet edhe për Konferencën e Parë Ndërqeveritare duke filluar nga reforma në drejtësi. Juve i keni shpëtuar kësaj drejtësie me procedurë pa u hetuar.
Mirë është të shkoni të jepni llogari pa procedurë pastaj të vini të flisni për korrupsionin. Funksionarë të lartë të mos i shpëtojnë. Lideri i opozitës sado të jetë në hall për arsye të tij të dalë dhe të thotë që Shqipëria nuk meriton të jetë në BE, këtë nuk e bën askush as në Zambia as në Gana”, tha ajo.
Më herët Lulzim Basha, nxori nga foltorja e Kuvendit një grafik, që sipas tij, tregon korrupsionin në Shqipëri.
Basha iu referua të dhënave të publikuara nga “World Justice Project”, ku rezulton se Shqipëria renditet në vendin e 105-të në botë për korrupsion.
“Me këtë nivel korrupsioni, mund të hapësh negociatat me Unionin Afrikan, se në Bruksel, të 105-tët në botë për, nuk na pranon njëri”, u shpreh Basha.